Ushtria iraniane kreu mbi 160 operacione speciale gjatë manovrave Zolfiqar 1403
(last modified Mon, 03 Mar 2025 18:42:06 GMT )
Mars 03, 2025 19:42 Europe/Tirane
  • Ushtria iraniane kreu mbi 160 operacione speciale gjatë manovrave Zolfiqar 1403

Një komandant i lartë i ushtrisë iraniane tha se forcat iraniane kanë kryer me sukses më shumë se 160 operacione të specializuara gjatë manovrave të fundit të përbashkëta ushtarake Zolfiqar 1403 të Ushtrisë në jug të Iranit.

Kundëradmirali Habibollah Sajari, zëvendësshefi i Ushtrisë iraniane për Koordinim, tha të hënën se Forcat e Armatosura bënë përpjekje të mëdha për të arritur objektivat kryesore të stërvitjes.

Ushtria iraniane mbajti stërvitjen ushtarake në shkallë të gjerë Zolfiqar 1403 në fund të shkurtit në një zonë përgjatë vijës bregdetare strategjike të Makranit në pjesën jugore të vendit, Detin e Omanit dhe majën veriore të Oqeanit Indian, duke u shtrirë deri në gjerësinë gjeografike 10 gradë.

Në stërvitje morën pjesë njësi të ndryshme këmbësorie, të blinduara dhe të mekanizuara, sisteme të mbrojtjes ajrore, mjete nënujore pa pilot (UUV), anije sipërfaqësore pa pilot (USV) si dhe bombardues strategjikë të Forcave Ajrore për mbështetje logjistike.

Sajari tha se manovrat u organizuan në një zonë të gjerë në prani të një numri të madh forcash nga njësi të ndryshme me lëvizshmëri shumë të lartë dhe pajisje të ndryshme.

Ai tha se nuk ka ndodhur as edhe një incident i vogël gjatë stërvitjeve përkundër të gjitha aktiviteteve dhe desanteve të shumta në tokë, ajër, det dhe nën ujë.

"Kjo pasqyron saktësinë dhe aftësinë e lartë të personelit të Ushtrisë së Republikës Islamike të Iranit në kryerjen e operacioneve luftarake," tha Sajari.

Ai tha se stërvitjet Zolfiqar 1403 arritën qëllimin e tyre përfundimtar për të rritur fuqinë mbrojtëse dhe parandaluese të Ushtrisë së Iranit për t'u përballur me çdo kërcënim aktual dhe të ardhshëm.