Hamasi mirëpret planin e vendeve arabe për Gazën
Lëvizja palestineze Hamas, bëri thirrje për sigurimin e mjeteve për të siguruar suksesin e planit të vendeve arabe për rindërtimin e Gazës dhe e konsideroi samitin në Kajro një hap përpara për mbështetjen arabe dhe islamike për kauzën palestineze.
Grupi palestinez u kërkoi udhëheqësve arabë që të detyrojnë Izraelin të angazhohet për marrëveshjen e armëpushimit me Hamasin.
“Ne e vlerësojmë qëndrimin arab që refuzon përpjekjet për të zhvendosur popullin tonë”, shtoi Hamasi.
Përfaqësuesit nga shtetet arabe u takuan në Kajro të martën dhe miratuan planin e Egjiptit për rindërtimin e Gazës që do të kushtonte 53 miliardë dollarë dhe do të shmangte zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.
Deklarata e vendeve arabe dënoi vendimin e fundit të Izraelit për të ndaluar hyrjen e ndihmave në Gaza, bëri thirrje për t’i dhënë fund agresionit të Izraelit në Bregun Perëndimor dhe pohoi rolin jetik të UNRWA në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.
Menjëherë pas një samiti të liderëve arabë në Kajro, ministria e jashtme izraelite tha se plani i rindërtimit “dështoi” në adresimin e realiteteve të situatës pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Izraeli ndërkohë përsëriti mbështetjen për idenë e presidentit amerikan Donald Trump, i cili synon zhvendosjen e palestinezëve në Jordani dhe Egjipt, duke thënë se shtetet arabe e kishin refuzuar atë pa i dhënë një shans.