Araghchi: Negocimi është i ndryshëm nga bullizmi dhe dhënia e urdhrave
(last modified Mon, 10 Mar 2025 08:11:44 GMT )
Mars 10, 2025 09:11 Europe/Tirane
  • Araghchi: Negocimi është i ndryshëm nga bullizmi dhe dhënia e urdhrave

Sejed Abbas Araghchi, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, duke deklaruar se programi i energjisë bërthamore të Iranit ka qenë gjithmonë dhe do të jetë tërësisht paqësor, theksoi: “Negocimi është i ndryshëm nga bullizmi dhe dhënia e urdhrave”.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Araghchi shkroi në llogarinë e tij të përdoruesit në rrjetin social X (ish-Twitter): “Programi i energjisë bërthamore të Iranit ka qenë gjithmonë dhe do të jetë plotësisht paqësor, kështu që, në thelb, nuk ekziston diçka e tillë si "militarizimi i mundshëm" i tij”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Islamike të Iranit shtoi: “Ne nuk do të negociojmë nën presion dhe frikësim, madje negociata të tilla nuk i konsiderojmë as të vlefshme për t'u shqyrtuar, pavarësisht nga tema që përmbajnë. Negocimi është i ndryshëm nga bullizmi dhe dhënia e urdhrave”.

Ai deklaroi: “Ne jemi duke negociuar aktualisht me tre vendet evropiane - dhe veçmas me Rusinë dhe Kinën - në kushte të barabarta dhe respekt reciprok. Qëllimi është të shqyrtohen mënyra për të ndërtuar më shumë besim dhe transparencë në lidhje me programin e energjisë bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve të paligjshme”.

Araghchi vuri në dukje: “Në të kaluarën, sa herë që Amerika, në diskursin e vet, e ka trajtuar Iranin me respekt, ajo ka marrë respekt në këmbim, dhe sa herë që ka ndërmarrë një qëndrim kërcënues, ajo është përballur me konfrontimin e Iranit. Çdo veprim ka detyrimisht një reagim”.