Evropa vë theksin mbi zgjidhjen diplomatike të çështjes bërthamore të Iranit
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian tha se nuk ka asnjë alternativë për zgjidhjen diplomatike të programit bërthamor të Iranit.
“Ne e mbështesim multilateralizmin jo vetëm kur është në interesin tonë, por sepse është gjithmonë në përputhje me interesat kolektive”, tha Kaja Kallas të martën gjatë takimit vjetor të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara lidhur me bashkëpunimin midis Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Pa vënë në dukje se cila palë është fajtori kryesor për situatën aktuale të zbatimit të JCPOA-së, ajo pretendoi: “Zgjerimi i vazhdueshëm i programit bërthamor të Iranit është plotësisht në kundërshtim me angazhimet e këtij vendi, të cilat janë konfirmuar në Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Pas nënshkrimit të JCPOA-së, Irani iu përmbajt të gjitha angazhimeve të veta, por Amerika u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018 dhe Evropa gjithashtu dështoi në zbatimin e angazhimeve të veta. Si rezultat, Irani ndërmori hapa për të reduktuar detyrimet brenda kuadrit të të drejtave të tij në marrëveshje (JCPOA). Negociatat për ringjalljen e JCPOA-së nuk arritën ndonjë rezultat për shkak të zvarritjeve dhe teprimeve të Perëndimit.
Përkundër kësaj, Irani ka vazhduar angazhimin diplomatik dhe bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) dhe ka theksuar se është i gatshëm të ringjallë marrëveshjen nëse palët e tjera u kthehen angazhimeve të tyre.
Negociatat e fundit me trojkën evropiane në Gjenevë tregojnë gjithashtu vullnetin e Teheranit për ta zgjidhur çështjen përmes diplomacisë, me kusht që të ofrohen garanci reale për heqjen e sanksioneve.