Araghchi: Kam marrë një letër nga presidenti amerikan
(last modified Thu, 13 Mar 2025 06:41:49 GMT )
Mars 13, 2025 07:41 Europe/Tirane
  • Araghchi: Kam marrë një letër nga presidenti amerikan

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Islamike të Iranit tha: “Gjatë takimit të sotëm me Anwar Gargash, këshilltarin diplomatik të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, mora një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Islamike të Iranit, në një postim në Instagram duke përmendur takimin e së mërkurës me këshilltarin diplomatik të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, tha se ai gjithashtu kishte marrë një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Seyed Abbas Araghchi, në faqen e tij personale në rrjetin social Instagram ka shkruar: “Të mërkurën në mbrëmje prita Anwar Gargash, këshilltarin diplomatik të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përveç bisedës për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, mora edhe një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Presidenti amerikan Donald Trump tha së fundmi në një intervistë për "Fox Business" se ai u kishte dërguar një letër zyrtarëve të lartë të Iranit duke thënë se donte të negocionte.

Të mërkurën në mëngjes, në margjinat e një takimi të kabinetit qeveritar, Araghchi u tha gazetarëve në lidhje me letrën e presidentit amerikan Donald Trump drejtuar zyrtarëve të lartë iranianë se "Trump ka shkruar një letër dhe ajo ende nuk ka arritur tek ne, por një i dërguar nga një prej vendeve arabe është planifikuar që ta dërgojë atë në Teheran së shpejti".

Portali i lajmeve Axios njoftoi gjithashtu se Steve Ëitkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për çështjet e Lindjes së Mesme, dje, gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi dhe gjatë takimit të tij me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, ia kishte dorëzuar atij letrën e presidentit Trump.

Mbrëmë, Lideri Suprem i Revolucionit Ajetullah Khamenei, në lidhje me deklaratat e Trumpit tha: “Fakti që presidenti amerikan thotë se jemi gati të negociojmë me Iranin dhe fton në negociata është një mashtrim i opinionit publik botëror. Kjo do të thotë se ne jemi të gatshëm të negociojmë dhe duam të negociojmë dhe të bëjmë paqe, por Irani nuk është i gatshëm. Ndërsa i njëjti person që i thotë këto gjëra, e grisi rezultatin e negociatave tona me Amerikën. Tani si mund të negociojmë me të kur e dimë se ai nuk do të veprojë sipas rezultateve?”