Putin kërkon dorëzimin e forcave ukrainase në Kursk
(last modified Sat, 15 Mar 2025 07:50:39 GMT )
Mars 15, 2025 08:50 Europe/Tirane
  • Putin kërkon dorëzimin e forcave ukrainase në Kursk

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se forcat ukrainase në rajonin Kursk duhet të dorëzojnë armët dhe se nëse dorëzohen, Moska do të garantojë sigurinë dhe jetët e tyre.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar agjencinë ruse të lajmeve Tass, të premten, në një takim me anëtarët e Këshillit të Sigurisë të Rusisë, në përgjigje të kërkesës së presidentit amerikan Donald Trump për të "garantuar sigurinë" për forcat ukrainase në Kursk, Putin shtoi: “Për të zbatuar në mënyrë efektive kërkesën e presidentit të Amerikës, është e nevojshme që udhëheqja politike dhe ushtarake e Ukrainës të urdhërojë njësitë e veta ushtarake të lënë armët dhe të dorëzohen”.

Presidenti i Rusisë shtoi: “Nëse ata i lëshojnë armët dhe dorëzohen, siguria e jetës dhe trajtimi i duhur i tyre në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ligjet e Federatës Ruse, do të garantohet”.

Ai theksoi: “Unë jua tërheq vëmendjen për faktin se personeli ushtarak ukrainas ka kryer krime të shumta kundër civilëve në zonën e luftës. Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë i ka klasifikuar këto veprime si akte terroriste”.

Ditët e fundit, forcat e armatosura ruse nisën një ofensivë masive që synonte rimarrjen e rajonit Kursk, i cili ishte pushtuar nga Ukraina, dhe brenda pak ditësh, ata çliruan qytetin Sudzha dhe shumë qyteza të tjera.

Në rrethana të tilla, negociatat ndërmjet delegacioneve amerikane dhe ukrainase u zhvilluan të martën në Jeddah të Arabisë Saudite dhe pala ukrainase ra dakord me propozimin e Uashingtonit për një armëpushim 30-ditor me Rusinë.

Të enjten, presidenti i Rusisë njoftoi mbështetjen e tij për një armëpushim me Ukrainën, duke thënë: “Përgjithësisht jam dakord me këtë propozim, por ky propozim duhet të çojë në paqe afatgjatë dhe të eliminojë faktorët kryesorë që e shkaktuan këtë krizë”.