Pezeshkian: Nuk ka vend për armë bërthamore në doktrinën e Iranit
Pars Today - Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, duke theksuar se nuk ka vend për armë bërthamore në doktrinën e Republikës Islamike të Iranit, sqaroi se ajo që formëson qëndrimin zyrtar të Republikës Islamike të Iranit është sovraniteti dhe udhëheqja e sistemit, të cilat qartësisht qëndrojnë kundër prodhimit të armëve bërthamore.
Në një intervistë me televizionin Oman, Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, Masoud Pezeshkian, tha: "Sipas ligjit ndërkombëtar, çdo vend ka të drejtë të kryejë kërkime shkencore dhe ekspertizë, pasurimin e uraniumit dhe aktivitete që lidhen me energjinë bërthamore për qëllime paqësore."
Sipas Pars Today, Pezeshkian shtoi në intervistë: "Shkenca i përket të gjithë botës dhe të gjithë njerëzit kanë të drejtë të përfitojnë nga njohuritë, teknologjia dhe aftësitë shkencore. Asnjë vend nuk mund t'ia heqë këtë të drejtë një vendi tjetër. Prandaj, ne nuk do t'i nënshtrohemi presionit për të ndaluar pasurimin në asnjë mënyrë. Kjo rezistencë është krenaria e Republikës Islamike të Iranit dhe ne do të këmbëngulim për të."
Në këtë intervistë televizive, Pezeshkian theksoi gjithashtu se nëse myslimanët arrijnë unitet dhe kohezion të vërtetë, atëherë ata mund të krijojnë një rend të ri dhe të pavarur për veten e tyre, duke thënë: "Vendet islamike kanë kapital të bollshëm, burime njerëzore të shquara, kulturë të pasur dhe një qytetërim të lashtë. Prandaj, ne mund të hyjmë në mejdan dhe të luajmë një rol. Nuk duhet të presim që të tjerët të hartojnë një lojë për ne. Ne gjithashtu kemi aftësinë të luajmë një rol dhe të jemi një lojtar efektiv dhe vendimtar në këtë arenë globale."
Reagimi i Shamkhani-t ndaj kërcënimeve të Trump kundër objekteve bërthamore të Iranit
Këshilltari politik i Udhëheqësit të Revolucionit Islamik, duke theksuar se Irani është një vend i pavarur me një strukturë të fortë mbrojtëse, një popull të qëndrueshëm dhe vija të kuqe të qarta, tha: Negocimi është një mjet për përparim dhe ruajtje të interesave dhe nderit kombëtar; jo imponim dhe dorëzim. Të enjten, në përgjigje të kërcënimeve të Trump kundër objekteve bërthamore të Iranit, Ali Shamkhani shkroi në rrjetin social X: "Dëshira për të hyrë në objektet bërthamore të Iranit dhe për t'i shpërthyer ato është një ëndërr që edhe presidentët e mëparshëm të SHBA-së e kishin në iluzionet e tyre. Irani është një vend i pavarur me një strukturë të fortë mbrojtëse, një popull të qëndrueshëm dhe vija të kuqe të qarta. Negocimi është një mjet për përparim dhe ruajtje të interesave dhe nderit kombëtar; jo imponim dhe dorëzim."
Araghchi: Rruga drejt marrëveshjes kalon nëpër tryezën e negociatave, jo nëpër media
Në të njëjtën kohë, Seyyed Abbas Araghchi, Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, shkroi në rrjetin social X në përgjigje të disa spekulimeve të medias se një marrëveshje midis Teheranit dhe Uashingtonit është afër: Mediat ende po spekulojnë për një marrëveshje të afërt midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Nuk jam i sigurt nëse jemi vërtet në një pikë të tillë.
Araghchi vazhdoi këtë postim në llogarinë e tij duke thënë: "Republika Islamike e Iranit po kërkon sinqerisht një zgjidhje diplomatike që përmbush interesat e të gjitha palëve. Por kjo kërkon një marrëveshje që heq të gjitha sanksionet dhe përmbush të drejtat bërthamore të Iranit, përfshirë pasurimin."
Ministri i jashtëm iranian sqaroi gjithashtu se rruga drejt një marrëveshjeje kalon nëpër tryezën e negociatave, jo nëpër media.