Raketat iraniane në Venezuelë?
Josh Chang, asistent kërkimor në Qendrën për Vlerësime Strategjike dhe Buxhetore, në një artikull të botuar në revistën amerikane The National Interest vlerësoi se fundi i embargos së armëve të OKB kundër Iranit në tetor mund të heqë një pengesë të madhe për planet e Iranit për të dërguar raketa në Venezuelë.
Deklarata e fundit e Presidentit Venezuelës Nicolas Maduro mbi interesimin e tij për marrjen e raketave iraniane ka shqetësuar shumë nga fqinjët e atij vendi dhe ka ngritur pikëpyetje në lidhje me gjasat e një blerjeje të tillë, shkruan Josh Chang i cili shton:" Dërgesat e fundit të naftës iraniane në Venezuelë, të cilat vazhdojnë të shumohen nën sytë e pafuqishëm të Flotës së Katërt dhe transferimi i arit të Venezuelës në Teheran përmes aeroplanëve iranianë demonstrojnë angazhimin e vendosur të Republikës Islamike të Iranit ndaj partnerit të saj të Amerikës Latine pavarësisht sanksioneve amerikane dhe distancës gjeografike". "Ndërsa Shtetet e Bashkuara kohët e fundit vendosën përsëri sanksionet e OKB në një përpjekje për të zgjatur embargon e armëve ndaj Iranit, mungesa e mbështetjes së gjerë ndërkombëtare për këto masa mund të inkurajojë Teheranin të bëjë shitje armësh sapo embargoja të arrijë afatin e fundit të skadimit zyrtar. Pavarësisht nëse Venezuela dhe Irani e zbatojnë këtë marrëveshje apo jo, do të ishte e dobishme të merren parasysh implikimet e vendosjes së raketave iraniane në hemisferën perëndimore. Së pari, vendosja e këtyre raketave mund të tingëllojë këmbanat e alarmit dhe të shkaktojë tensione të reja midis Venezuelës dhe fqinjëve të saj, me marrëdhëniet tashmë në nivelin më të ulët. Raketat e reja iraniane në Venezuelë mund ta inkurajojnë Maduron që të jetë më i zëshëm në retorikën e tij dhe të kryejë manovra shtesë me besim të plotë. Këto masa mund të çojnë në rritjen e konkurrencës dhe mosmarrëveshjeve ushtarake dhe diplomatike. Së dyti, pranimi i raketave iraniane nga Venezuela do të ftonte në mënyrë të pashmangshme teknikë, inxhinierë dhe personel ushtarak iranian të vinin në vend për të instaluar këto armë. Ky personel mund të forcojë praninë e Iranit në hemisferën perëndimore dhe të lejojë Republikën Islamike të Iranit të mbledhë informacione dhe të monitorojë aktivitetet e SHBA në rajon. Një vendosje e suksesshme iraniane e platformave të raketave në Venezuelë gjithashtu mund të inkurajojë të dy shtetet të ndjekin marrëveshje të tjera të mundshme armësh dhe të krijojnë besim në aftësinë e tyre për të sfiduar sanksionet e SHBA. Në fund të fundit, është e rëndësishme të theksohet se nëse Irani ose Venezuela do vazhdojnë apo jo me këtë transaksion, thjesht parashikimi i kësaj mundësie tregon një "shpërqendrim strategjik", i cili mund t'i tërheqë Shtetet e Bashkuara nga çështjet e tjera të rëndësishme. Nëse Teherani do të eksportojë raketa në Venezuelë, kjo shitje mund të bëjë që Komanda e Amerikës së Jugut të kërkojë burime shtesë, të tilla si platforma ajrore pa pilot, përgjues raketash dhe shkatërrues, për të cilat kjo komandë nuk do të kishte nevojë në zona të caktuara në rrethana normale. Këto kërkesa mund të privonin zona të tjera që kanë nevojë për mjete të tilla kritike në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përfshihen në konkurrencë strategjike me Rusinë dhe Kinën në pjesë të tjera të botës. Ndërsa Uashingtoni e ka të vështirë për të përmbushur zotimet e tij të mbrojtjes në të gjithë botën, një shitje raketash iraniane në Venezuelë do të shtonte një element të ri në një listë tashmë në rritje të problemeve të mbrojtjes".