Forcat e Armatosura të Iranit në gatishmëri maksimale
Komandanti më i lartë ushtarak i Iranit deklaroi se Forcat e Armatosura të vendit janë në gatishmëri maksimale dhe "kanë gishtat në këmbëz" për t'iu përgjigjur gabimit më të vogël nga forcat armike në rajon.
Duke iu referuar ndërtimit të vazhdueshëm ushtarak nga "ushtria terroriste dhe kriminale" e Shteteve të Bashkuara në rajon dhe akuzave kundër Iranit, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura iraniane, Gjeneral Major Muhamed Bakeri tha të martën se ushtria iraniane ishte plotësisht e përgatitur për tu mbrojtur nga çdo agresion. "Megjithëse Republika Islamike e Iranit nuk ka ndërmend të kryejë një akt agresioni dhe shkelje kundër ndonjë vendi fqinj, ajo është plotësisht e gatshme për t'iu kundërvënë çdo kërcënimi," tha Gjeneral Major Bakeri. "Forcat tona të Armatosura heroike kanë gishtat në këmbëz, dhe në rast të gabimit më të vogël nga armiqtë, Forcat e Armatosura me siguri do të japin një përgjigje të ashpër," shtoi ai. Më parë, Komandanti i Forcave Hapësinore të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) Gjeneral Brigade Amir-Ali Haxhizadeh paralajmëroi disa vende arabe të rajonit mbi pasojat e pafavorshme të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe regjimin izraelit, duke thënë se ato do të pësonin dëmet më të mëdha në rast të çdo luftë të mundshme në rajon. "Nëse diçka ndodh këtu (në rajon) dhe një luftë shpërthen, ne nuk do të bëjmë asnjë dallim midis bazave të SHBA-së dhe vendeve që i presin ato," tha Haxhizadeh.