Irani duhet të kërkojë kompensim nga Shtetet e Bashkuara
Irani duhet të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara kompensim për dëmin e shkaktuar Teheranit përmes imponimit të njëanshëm të sanksioneve të ashpra ekonomike nga administrata e ish-Presidentit të SHBA Donald Trump, deklaroi një zyrtar i lartë iranian.
"Përveç zbatimit të ligjit të miratuar nga Parlamenti iranian për ndërmarrjen e hapave strategjikë për të penguar sanksionet, ne duhet patjetër të kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara kompensimin e dëmeve të bëra në vendin tonë," tha të hënën Mohsen Rezai, sekretari i Këshillit të Interesave Shtetërore të Iranit. Në përgjigje të një pyetje në lidhje me përfundimin e afatit të Iranit për amerikanët për të hequr sanksionet, Rezai tha: "Ne, në Republikën Islamike dhe në politikën e saj të jashtme, gjithmonë jemi përpjekur të veprojmë në bazë të të drejtave, drejtësisë dhe respektimit të normave ndërkombëtare dhe ne kurrë nuk kemi dështuar të përmbushim zotimet tona sipas detyrimeve." "Nëse armiqtë dhe vendet e tjera që pretendojnë të kenë marrëdhënie konstruktive me ne nuk vijnë në vete dhe nuk i përmbushin detyrimet e tyre, ata nuk duhet të presin që Republika Islamike të tërhiqet", vuri në dukje Rezai. Zyrtari i lartë iranian përsëriti se, "Ne u detyruam të reagojmë ndaj shkeljes së paktit nga Perëndimi, dhe ky është synimi i ligjit që u miratua nga Parlamenti i cili duhet të zbatohet në mënyrë që ata të përmbushin detyrimet e tyre." Rezai, megjithatë, tha se është Irani ai që duhet të verifikojë përmbushjen e angazhimeve të SHBA-së për shkak të mungesës së besimit të ndërsjellë.