Rritet me 100% eksporti i gazit të Iranit
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë kombëtare të gazit të Iranit ka njoftuar për rritjen me 100% të eksportit të gazit të Iranit.
Hasan Montezer Torbati, drejtori i përgjithshëm i kompanisë kombëtare të gazit të Iranit, ditën e martë në një intervistë me agjencinë e lajmeve IRNA, ka thënë: “Eksporti i gazit të Iranit ka shënuar rritje me 100% dhe nga 9 miliardë metër kube që ishte shtatë vite më parë, tani ka arritur në 18 miliardë metër kub gjatë këtij viti. Gjithashtu kontratat e eksportit të gazit të Iranit në Turqi dhe Irak janë duke u zbatuar në kuadër të kontratave kryesore. Përveç kësaj, po vazhdon edhe eksporti i gazit në Republikën e Azerbajxhanit dhe në Armeni. Gjithashtu janë duke shqyrtuar edhe rrugë të ndryshme për eksportin e gazit të Iranit në Evropë”.
Drejtori i kompanisë kombëtare të gazit të Iranit gjithashtu ka thënë: “Përveç rrugëve të Turqisë, janë duke u shqyrtuar edhe linjat e tubacioneve të gazit nëpërmjet Irakut dhe Sirisë, madje edhe eksportimi i gazit nëpërmjet territorit të Republikës së Azerbajxhanit. Megjithatë ideja më e fortë për eksportin e gazit të Iranit në Evropë është ajo nëpërmjet Turqisë. Për Evropën, importi i gazit të Iranit ka dobi shumë të mëdha”.