Ruhani kundërshton ndërhyrjen e huaj në Irak
Presidenti iranian Hasan Ruhani ka rikonfirmuar kundërshtimin e Iranit ndaj çdo ndërhyrje të huaj në Irak, duke thënë se siguria, integriteti, paqja dhe qetësia në Irak janë ndër përparësitë kryesore të Republikës Islamike.
"Ne kundërshtojmë çdo ndërhyrje të huaj në punët e brendshme të Irakut dhe e konsiderojmë atë në dëm të këtij vendi dhe të gjithë rajonit", tha të Shtunën Presidenti Ruhani në një telefonatë me Kryeministrin Irakian Mustafa al-Kadhimi. Ai shtoi se prania e trupave amerikane në vendet e rajonit, përfshirë Irakun, është shkaku i paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë, duke thënë se "amerikanët gjithmonë kanë luajtur një rol shkatërrues në rajon." Presidenti iranian theksoi se zbatimi i shpejtë i legjislacionit të parlamentit irakian për dëbimin e forcave amerikane nga Iraku mund të "ndihmojë në rivendosjen e paqes, stabilitetit dhe qetësisë në vend dhe në rajon". Presidenti Ruhani tha se çështjet rajonale duhet të zgjidhen nga vendet e rajonit dhe shprehu gatishmërinë e Teheranit për të bashkëpunuar me shtetet e rajonit drejt promovimit të sigurisë dhe paqes. Ai shtoi se zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve paralelisht me lidhjet politike është shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh kapacitetet e mëdha të të dy palëve dhe theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit Teheran-Bagdad në të gjitha fushat. Kryeministri Irakian, nga ana e tij, vlerësoi ndihmën e Iranit në krijimin e sigurisë dhe stabilitetit në vendin e tij dhe tha se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të paligjshme dhe mizore si ndaj Teheranit, ashtu edhe ndaj Bagdadit. Kadhimi gjithashtu tha se Bagdadi do të bënte përpjekjet e veta për heqjen e plotë të sanksioneve kundër Iranit.