Vazhdojnë negociatat e Iranit me grupin 4+1 në Vjenë
Negociatat mes Iranit dhe shteteve të grupit 4+1 kanë vazhduar me zhvillimin e takimeve të grupeve punuese në nivel të ekspertëve në fushën e heqjes së sanksioneve, programit atomik dhe çështjeve ekzekutive.
Dje dy grupet punuese për çështjet atomike dhe për heqjen e sanksioneve kanë vazhduar bisedimet për përfundimin e tekstit ndërsa grupi punues i ekspertëve për çështje ekzekutive gjithashtu ka mbajtur takim për herë të parë.
Dje gjithashtu janë zhvilluar edhe takime dypalëshe mes delegacioneve të ndryshme të Iranit dhe shteteve të grupit 4+1 në Vjenë. Raporti i takimeve të grupeve punuese në nivel të ekspertëve do të paraqitet në takimin e komisionit të përbashkët të marrëveshjes bërthamore dhe në rast të nevojshëm ky komision do të takohet përsëri në ditët në vazhdim.
Në takimin e fundit të komisionit të përbashkët për marrëveshjen bërthamore i cili u zhvillua ditën e martë është vendosur që të përshpejtohet procesi i bisedimeve dhe palët kanë rëndë dakord për zhvillimin në mënyrë intensive të takimeve të grupeve punuese në nivel të ekspertëve në fushën e heqjes së sanksioneve dhe çështjeve atomike. Në këtë kuadër është vendosur të formohet edhe një grup i tret me emrin grupi i ekspertëve të çështjeve ekzekutive me qëllim të hartojnë planin e duhur për heqjen e sanksioneve dhe pastaj kthimin e Amerikës në marrëveshjen bërthamore.
Negociatorët iranianë gjatë procesit të bisedimeve kanë theksuar nevojën e përshpejtimit të bisedimeve dhe moszvarritjen e negociatave.
Ndërkohë shefi i zyrës presidenciale të Iranit ka deklaruar se deri më tani janë bërë hapa shumë të mirë në takimin e komisionit të përbashkët për marrëveshjen bërthamore. Mahmud Vaezi, shefi i zyrës së presidentit të Republikës Islamike të Iranit, ditën e enjte i ka përshkruar të ndërlikuara negociatat në Vjenë dhe ka shtuar: “Ajo çfarë është bërë deri më tani, është shpresëdhënëse dhe janë marrë hapa shumë të mira deri më tani”.