May 26, 2021 20:14 Europe/Tirane
  • Zarif shpreh shpresën për de-përshkallëzim midis Azerbajxhanit dhe Armenisë

Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif e ka përshkruar Kaukazin si një "rajon vital", duke theksuar se paqja dhe siguria e qëndrueshme atje është çështje e sigurisë kombëtare për Iranin.

Zarif, i cili ndodhet në kryeqytetin armen Jerevan, i bëri deklaratat të Mërkurën në një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Armenisë Ara Ayvazyan. Ai riafirmoi politikën parimore të Iranit karshi mosmarrëveshjes së Karabakut që nga vitet 1990 dhe nënvizoi nevojën për të respektuar integritetin territorial të të gjitha vendeve të rajonit si dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve. Zarif vuri në dukje përpjekjet e Iranit gjatë muajve të fundit për të kontribuar në një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve rajonale. Ndërsa shprehu shqetësime rreth konfrontimit të fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, diplomati i lartë iranian theksoi nevojën që palët në konflikt të tregojnë përmbajtje, të respektojnë integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe të bëjnë përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes dialogut. Ai tha se Irani është i shqetësuar nga çdo tension në rajon dhe theksoi mbrojtjen e kufijve të njohur ndërkombëtarisht, si dhe integritetin territorial të vendeve si një vijë e kuqe e Republikës Islamike të Iranit. Nga ana e tij, zyrtari armen bëri thirrje për konsulta të vazhdueshme dhe dialog midis udhëheqësve të të dy vendeve dhe shprehu shpresën se lidhjet dypalëshe do të zgjerohen më tej në sektorë të ndryshëm. Duke iu referuar përplasjeve të reja kufitare midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në javët e fundit, ai pranoi se incidente të tilla shkojnë kundër stabilitetit dhe qetësisë në rajon. Më parë gjatë ditës, Zarif u takua gjithashtu me Presidentin e Armenisë Armen Sarkissian dhe Kryeministrin Nikol Pashinyan.

 

Tags