Administrata e Biden nuk ka ndërmend të heqë sanksionet ndaj Iranit
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i110412-administrata_e_biden_nuk_ka_ndërmend_të_heqë_sanksionet_ndaj_iranit
I dërguari special i qeverisë amerikane për Iranin, Robert Malley, tha në një intervistë të Premten (25 Qershor) se Uashingtoni nuk do të heqë të gjitha sanksionet e tij kundër Iranit dhe do të heqë vetëm ato sanksione që i konsideron të nevojshme për t'u kthyer në marrëveshjen bërthamore.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 26, 2021 15:43 Europe/Tirane
  • Administrata e Biden nuk ka ndërmend të heqë sanksionet ndaj Iranit

I dërguari special i qeverisë amerikane për Iranin, Robert Malley, tha në një intervistë të Premten (25 Qershor) se Uashingtoni nuk do të heqë të gjitha sanksionet e tij kundër Iranit dhe do të heqë vetëm ato sanksione që i konsideron të nevojshme për t'u kthyer në marrëveshjen bërthamore.

"Ata [pala iraniane] po na kërkojnë të heqim të gjitha sanksionet që ish-Presidenti Trump ka vendosur ose ri-vendosur që nga viti 2018, dhe kjo është një kërkesë e madhe," tha Malley. "Ne kemi njoftuar se jemi gati të heqim sanksionet që duhet të hiqen për t'u kthyer në marrëveshjen bërthamore, por nuk do t'i heqim të gjitha sanksionet e vendosura nga administrata Trump", shtoi ai. Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi të premten se mosarritja e një marrëveshjeje të përkohshme për të mbikëqyrur programin bërthamor të Iranit mund të bëhet shkak që SHBA të braktisë përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore. “Do shohim nëse mund të gjejmë rrugën e përbashkët për këto mospajtime reale. Por duhet të përpiqemi dhe ta ngushtojmë hendekun,” tha shefi i diplomacisë amerikane në një konferencë për shtyp në Paris pas takimit me homologun francez, Jean Yves Le Drian. Sekretari Blinken, i cili ndodhet në Paris në kuadër të turneut të tij në tre vende evropiane, pohoi më parë se SHBA mund të vendosin të mos rikthehen në marrëveshje nëse negociatat e Vjenës nuk shënojnë përparim. “Do të vijë momenti kur do të jetë e vështirë të kthehemi në standardet e përcaktuara nga Plani i Përbashkët për Veprim,” tha ai duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2015. "Ne nuk e kemi arritur atë pikë - nuk mund të vendos një datë - por është diçka për të cilën jemi të vetëdijshëm". Një zyrtar i lartë amerikan tha të enjten Uashingtoni nuk do t'i japë Teheranit siguri se një administratë e ardhshme amerikane nuk do të tërhiqet përsëri nga marrëveshja bërthamore e Iranit. "Nuk ka diçka të tillë si një garanci, dhe unë mendoj se Irani e di atë dhe ne e dimë atë," u tha zyrtari gazetarëve gjatë një konferencë shtypi. Administrata e SHBA, nën Presidentin Joe Biden, thotë se dëshiron të kompensojë gabimin e Trump dhe të bashkohet përsëri me marrëveshjen bërthamore, por ajo po tregon një prirje mbizotëruese për ruajtjen e disa sanksioneve si një mjet presioni ndaj Iranit. Ndërkohë, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Said Khatibzadeh, tha se "Palët e tjera janë ato që duhet të marrin vendimet." Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit shtoi: "Republika Islamike e Iranit nuk e ka lënë kurrë marrëveshjen bërthamore për t'u kthyer në të," shtoi ai. "Shtetet e Bashkuara dhe Evropianët e dinë më mirë se Irani e mori vendimin e tij kur qëndroi në marrëveshje dhe e mbajti gjallë atë pavarësisht tërheqjes së njëanshme të SHBA nga kjo marrëveshje, vendosjes së sanksioneve të paligjshme dhe mizore kundër popullit iranian dhe mosveprimit të Evropës."