Irani prezanton vaksinën e pestë iraniane “Noora” kundër virusit Korona
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i110444-irani_prezanton_vaksinën_e_pestë_iraniane_noora_kundër_virusit_korona
Sot, në Universitetin “Baghijetullah” të Teheranit u prezantua vaksina e pestë iraniane me emrin “Noora” kundër virusit Korona.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Qershor 27, 2021 13:07 Europe/Tirane
  • Irani prezanton vaksinën e pestë iraniane “Noora” kundër virusit Korona

Sot, në Universitetin “Baghijetullah” të Teheranit u prezantua vaksina e pestë iraniane me emrin “Noora” kundër virusit Korona.

Agjencia e lajmeve Iran Press njoftoi se ceremonia për prezantimin e vaksinës me përbërje të re “Noora” kundër virusit Korona u zhvillua në Universitetin Baghijetullah të Teheranit duke filluar edhe faza e testimit njerëzor të kësaj vaksine. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm gjeneral Husejn Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare dhe Sa’id Namaki, ministri i shëndetësisë së Iranit.  

Në fillim të kësaj ceremoni, Husejn Abulkasemi, rektori i Universitetit Baghijetullah dhe njëkohësisht drejtuesi i projektit të vaksinës së pestë iraniane “Noora” kundër virusit Korona, theksoi se janë ndjekur dhe respektuar standarde dhe kritere shumë rigoroze në prodhimin e vaksinës “Noora” dhe kjo ka rezultuar në prodhimin e një vaksine me cilësi jashtëzakonisht të lartë.

Husejn Abulkasemi shtoi: “Vaksina “Noora” është simbol i një prej disa ilaçeve biologjike të prodhuara në Iran. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Irani nuk i fsheh arritjet dhe sukseset e tij dhe boton informacionin e tij shkencor, gjë që dëshmon suksesin e shkencëtarëve iranianë. Gjatë procesit të prodhimit të vaksinës “Noora”, megjithëse standardet u bënë më të vështira, lejet e nevojshme u morën nga Ministria e Shëndetësisë së Iranit. Vaksina “Noora” është një vaksinë rekombinante dhe proteine ​​që ka efekte anësore të ulëta dhe ndikim të lartë. Fillimisht do të prodhohen një milion doza në muaj dhe gradualisht tre milionë doza në muaj, të vaksinës “Noora" në Iran”.

Në këtë ceremoni, ministri i shëndetësisë së Iranit theksoi se Irani në prodhimin e vaksinës Korona tanimë nuk do të ketë problem dhe ka ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për eksportin e vaksinave në vendet e ndryshme të botës. Sa’id Namaki, ministri i shëndetësisë së Iranit, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në Universitetin Baghijetullah të Teheranit në ceremoninë e prezantimit të vaksinës “Noora” dhe njëkohësisht fillimin e fazës së testimit njerëzor të kësaj vaksine, me këtë rast tha: “Në tre ditët e kaluara, në kontekstin e pavarësisë dhe ngritjes së Revolucionit Islamik, janë shënuar ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme dhe të shkëlqyeshme. Dy ditë më parë, vaksina e parë e prodhimit iranian kundër virusit korona u injektua tek lideri suprem i Revolucionit Islamik, dhe dje (e shtunë) u prodhua vaksina iraniane Sputnik V, ndërsa sot u prezantua vaksina iraniane "Noora", gjë që tregon rëndësinë e kësaj teknologjie në Iran. Sot kemi më shumë progres se mungesa në fushën e përballjes kundër pandemisë së virusit Korona. Ata që kanë vendosur sanksione kundër Iranit nuk e dinin që kombi iranian është më i fortë dhe më i qëndrueshëm, sepse ai në të kaluarën e tij të shkëlqyeshëm ka eksperiencën e tetë viteve të luftës së imponuar. Republika Islamike e Iranit sot nuk ka nevojë për shtretër shtesë në spitale dhe nuk ka mungesë të aparateve të oksigjenit për frymëmarrje artificiale për pacientët me virusin Korona. Kompanitë iraniane me bazë shkencore krijuan një epope të vërtetë gjatë përhapjes së virusit Koronës për të përmbushur nevojat e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore në Iran”.