Erdogan telefonon Presidentin iranian
Presidenti i Iranit gjatë një bisede telefonike me homologun e tij turk theksoi se mbështetja e palestinezëve përballë regjimit izraelit është pjesë përbërëse e axhendës së përbashkët të dy vendeve.
Presidenti iranian Ebrahim Raisi i bëri deklaratat gjatë një telefonate me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. "Ndihma për njerëzit e shtypur dhe të pambrojtur të Palestinës dhe shpëtimi i tyre nga agresioni i sionistëve nuk hiqet kurrë nga axhenda jonë e përbashkët," i tha Raisi Presidentit turk. Raisi vuri në dukje kapacitetet e ndryshme që posedojnë vendet e botës islame, duke thënë: "Bashkëpunimi i Teheranit dhe Ankarasë sjell shumë përfitime për ummetin mysliman." Presidenti i RII shtoi: Bashkëpunimi sjell "të mira dhe begati" për botën myslimane, ndërsa gjithashtu krijon përparim, qetësi dhe siguri për vendet e rajonit. Presidenti Raisi theksoi se Republika Islamike i kushton rëndësi të madhe lidhjeve me Turqinë. Erdogan, nga ana e tij, përsëri uroi Presidentin Ebrahim Raisi me rastin e fitores së tij në zgjedhjet presidenciale iraniane dhe shprehu sigurinë se lidhjet dypalëshe dhe rajonale midis dy vendeve "do të forcohen në të gjitha fushat" nën mandatin e z. Raisi. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj Teheranit për kontributin e tij në përpjekjet për shuarjen e zjarreve që kohët e fundit përfshinë pyjet e Turqisë. Presidenti turk gjithashtu shprehu shpresën se Këshilli i Lartë i Bashkëpunimit që koordinon punën e përbashkët të dy vendeve do të mblidhet në Teheran së shpejti, dhe u shpreh i gatshëm të takohet me Presidentin Raisi në kryeqytetin iranian në të ardhmen e afërt.