Gusht 15, 2021 20:49 Europe/Tirane
  • Zarif: Lufta dhe dhuna, nuk janë zgjidhje për problemet e Afganistanit

Ministri i Jashtëm i Iranit, Muhamed Xhavad Zarif deklaroi se refuzon luftën dhe dhunën si një zgjidhje për problemet ekzistuese në Afganistanin fqinj, duke përsëritur mbështetjen e Iranit për vendosjen e paqes së qëndrueshme në vendin e shkatërruar nga lufta.

"Lufta dhe dhuna, ashtu si pushtimi, nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë një rrugëdalje nga problemet e Afganistanit," tha Zarif në një postim të dielën pasi forcat talebane hynë në kryeqytetin afgan dhe Presidenti i vendit Ashraf Ghani u nis për në një destinacion ende të paditur. "Republika Islamike e Iranit do të vazhdojë përpjekjet e saj për të ndihmuar në realizimin e pajtimit në Afganistan," shtoi diplomati i lartë iranian. Postimi i Zarif erdhi pasi ish-presidenti afgan, Hamid Karzai, njoftoi të dielën krijimin e një këshilli koordinues, ku marrin pjesë zyrtarë të lartë afganë, përfshirë kryenegociatorin e paqes me talebanët, Abdullah Abdullah, dhe ky këshill do të jetë përgjegjës për "Transferimin paqësor të pushtetit" dhe për zvogëlimin e mundësisë së kaosit dhe pasigurisë së mëtejshme që do të dëmtonte popullin afgan. "Iniciativa e vëllezërve tanë afganë në këshillin e koordinimit dhe e udhëheqësve të tjerë afganë mund të përgatisë terrenin për dialog dhe një transferim paqësor drejt paqes së qëndrueshme," tha Zarif në Twitter.

 

Tags