Biseda Raisi-Putin, në fokus zhvillimet në Afganistan
Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në vendosjen e paqes dhe sigurisë në Afganistanin e shkatërruar nga lufta.
Gjatë një bisede telefonike të Mërkurën, të dy presidentët diskutuan situatën në Afganistan, së bashku me një sërë çështjesh të tjera. "Vendosja e sigurisë, paqes dhe qetësisë në Afganistan është theksuar gjithmonë nga Republika Islamike e Iranit dhe ne besojmë se të gjitha grupet aktive afgane duhet të punojnë së bashku për të vendosur stabilitetin në vend sa më shpejt të jetë e mundur dhe për ta bërë tërheqjen e SHBA një pikë kthese për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Afganistan" tha Presidenti Raisi gjatë bisedës me Presidentin Putin. Ai tha se forcimi i marrëdhënieve me Rusinë ishte një objektiv qendror i politikës së jashtme të Iranit. "Ne kërkojmë të heqim pengesat në marrëdhënie dhe të hapim dritare të reja për bashkëpunim, dhe jemi të vendosur të rrisim vëllimin e tregtisë dypalëshe me Rusinë," vuri në dukje Presidenti iranian. Duke theksuar se Irani është i vendosur të promovojë marrëdhënie miqësore dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve në një mënyrë që të krijojë një model të suksesshëm për marrëdhëniet fqinjësore, Raisi shtoi: "Ne kemi një vullnet serioz për të finalizuar dokumentin gjithëpërfshirës të bashkëpunimit Iran-Rusi sa më shpejt e mundur ". Ai gjithashtu falënderoi Rusinë për nismën e saj për të filluar procesin e anëtarësimit të Iranit në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe e përshkroi atë si një hap drejt forcimit të marrëdhënieve shumë të ngushta midis dy vendeve. Lidhur me situatën në Afganistan, Ebrahim Raisi shprehu gatishmërinë e Iranit për çdo bashkëpunim për vendosjen e paqes në vendin e shkatërruar nga lufta dhe tha: "Përvoja e suksesshme e bashkëpunimit Iran-Rusi në luftën kundër terrorizmit takfirist në Siri ka hapur dritare të reja për të dy palët për të rritur ndërveprimin Teheran-Moskë ". Nga ana e tij, Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi i tij i kushton rëndësi të madhe promovimit të lidhjeve me Iranin, duke cituar thënien e Liderit Suprem të Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei se një nivel i lartë i besimit reciprok dhe një kapacitet i lartë ekonomik në të dy vendet mund të çojë në rezultate të prekshme në të gjitha fushat. Putin gjithashtu përshëndeti nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve. Në lidhje me bisedimet e Vjenës që synonin ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit, Putin tha se marrëveshja bërthamore "nuk mund të mbahet peng i problemeve që nuk lidhen me të ". Gjatë bisedës Raisi-Putin, vëmendja më e madhe iu kushtua ngjarjeve që po ndodhin në Afganistan, dhe u shpreh gatishmëria për të kontribuar në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në këtë vend.