Ministri i Jashtëm i Iranit kritikon ashpër Korenë e Jugut
Ministri i Jashtëm i Iranit kërkoi që Koreja e Jugut t'i sigurojë Republikës Islamike "qasje të shpejtë" në fondet iraniane që Seuli i ka mbajtur nën pretekstin e respektimit të sanksioneve amerikane.
Hossein Amir-Abdollahian i bëri deklaratat të enjten gjatë një bisede telefonike me homologun e tij korean Chung Eui-yong. Amir-Abdollahian shprehu "kritika të forta" për ngrirjen e vazhdueshme të fondeve iraniane në bankat e Koresë së Jugut, raporton agjencia e lajmeve IRNA. Autoritetet iraniane në disa raste kanë thënë se presin që Koreja e Jugut të bëjë më shumë për lirimin e gati 8.5 miliardë dollarëve të bllokuar ilegalisht në dy banka të Koresë së Jugut me pretekstin e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Republikës Islamike. Diplomati i lartë iranian bëri thirrje që paratë të lirohen në mënyrë që Republika Islamike t'i përdorë ato për të blerë medikamente dhe mallra të tjera. Më parë ishte rënë dakord që fondet të përdoren nga Irani për blerjen e artikujve humanitarë, diçka që përsëri është parandaluar si rezultat i angazhimit të Koresë për të respektuar sanksionet e njëanshme amerikane. Teherani ka reaguar ndaj refuzimit të Seulit për bashkëpunim, duke vendosur kufizime në importet nga Koreja e Jugut. "Populli iranian është seriozisht i pakënaqur me situatën që është krijuar si rezultat i ndërprerjes së aktiviteteve tregtare midis dy vendeve - pas masave ekonomike amerikane - dhe parandalimit të lirimit të fondeve qoftë edhe për blerjen e artikujve humanitarë", i tha Amir-Abdollahian zyrtarit korean. Chung, nga ana e tij, tha se Seuli po ndiqte çështjen e qasjes së Iranit në fondet e ngrira. Ai, ndërkohë, shprehu shqetësim në lidhje me veprimet që Republika Islamike ka ndërmarrë në lidhje me importet koreane.