Delegacioni iranian vazhdon bisedimet në Vjenë në ditën e dytë
Delegacioni iranian vazhdoi për të dytën ditë bisedimet në Vjenë për çështje të ndryshme që synojnë heqjen e sanksioneve kundër Iranit.
Negociatori kryesor i Iranit në bisedimet bërthamore, Ali Bagheri Kani u takua të martën me Zëvendës Shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Enrique Mora, i cili kryeson Komisionin e Përbashkët të marrëveshjes bërthamore. Gjatë takimit të dy zyrtarët shqyrtuan mënyrat e vazhdimit të bisedimeve konstruktive në Vjenë. Në këtë takim, kryenegociatori iranian, duke shpjeguar pikëpamjet e Republikës Islamike të Iranit dhe duke paraqitur propozime të reja se si të avancohen bisedimet, theksoi nevojën për heqjen efektive të sanksioneve kundër popullit iranian dhe inkurajoi anëtarët e tjerë që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në bisedime dhe të shprehin gjithashtu gatishmërinë dhe seriozitetin e tyre për t'u angazhuar në heqjen e sanksioneve. Në një zhvillim më vete, drejtori për çështjet ekonomike i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Mehdi Safari, u takua me kancelarin e Bankës Qendrore të Austrisë, ku diskutoi me të marrëdhëniet dypalëshe dhe hulumtoi mënyra për të përforcuar më tej bashkëpunimin bankar dhe financiar. Raundi i fundit i takimit të Komisionit të Përbashkët të marrëveshjes bërthamore i cili fokusohet në heqjen e sanksioneve të SHBA-së kundër kombit iranian filloi në Vjenë të hënën pas një bllokimi pesë-mujor.