Raisi: Irani mbështet sigurinë e vendeve rreth Gjirit Persik
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se siguria e vendeve të rajonit të Gjirit Persik është e lidhur me sigurinë e secilit vend, prandaj Irani mbështet fuqishëm sigurinë e vendeve rreth Gjirit Persik.
Agjencia e lajmeve IRIB njoftoi se Sejed Ebrahim Raisi, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, ditën e hënë në takim me Shejkh Tahnun bin Zajed Ale Nehjan, këshilltarin e sigurisë kombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe, vuri në dukje të kaluarën e marrëdhënieve miqësore mes të dy vendeve dhe deklaroi: "Marrëdhëniet e mira me vendet e rajonit janë prej prioriteteve parësore të politikës së jashtme të qeverisë së Iranit dhe pikërisht për këtë arsye Teherani mirëpret zgjerimin e marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe. Në marrëdhëniet mes të dy vendeve myslimane, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe nuk duhet të ekzistojë kurrfarë pengese dhe këto marrëdhënie nuk duhet të bien nën ndikim të diktimeve të faktorëve të huaj. Politika e armiqve të vendeve të rajonit është krijimi i frikës mes vendeve fqinjë, mirëpo ky komplot do të neutralizohet vetëm me maturinë dhe perceptimin e përbashkët".
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit theksoi se politika e prerë e Republikës Islamike të Iranit është mbështetja ndaj popujve myslimanë të rajonit dhe shtoi: "Sionistët në rajon po ndjekin qëllime djallëzore dhe në çdo vend kur mund të depërtojnë, mundohen ta shndërrojnë atë vend në vegël për zgjerimin e politikave të tyre djallëzore dhe armiqësore, prandaj vendet e rajonit duhet të tregohen të kujdesshme dhe vigjilente ndaj këtij komploti".
Raisi duke mirëpritur zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes Teheranit dhe Abu Dhabit, tha: "Zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve krijon kushtet edhe për zhvillimin e marrëdhënieve në fusha të tjera të rajonit".
Nga ana e tij, këshilltari për siguri kombëtare i Emirateve të Bashkuara Arabe në këtë takim tha: "Ne jemi bijë të këtij rajoni dhe kemi një fat të përbashkët, prandaj zgjerimi i marrëdhënieve mes të dy vendeve është në krye të prioriteteve tona dhe ne jemi të gatshëm për zgjerimin e bashkëpunimeve me Iranin".
Vlen të theksohet se Shejkh Tahnun bin Zajed Ale Nehjan, këshilltari për siguri kombëtare i EBA, sot ka arritur në Teheran për një vizitë zyrtare.