Gheneral Bagheri: Bashkëpunimi ushtarak mes Iranit dhe Azerbajxhanit do të forcohet
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i121378-gheneral_bagheri_bashkëpunimi_ushtarak_mes_iranit_dhe_azerbajxhanit_do_të_forcohet
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneralmajor Mohammad Bagheri deklaroi se regjimi izraelit është shkaku kryesor i mosmarrëveshjeve në rajon dhe përbën një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e të gjitha vendeve të rajonit.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Janar 25, 2022 19:54 Europe/Tirane
  • Gheneral Bagheri: Bashkëpunimi ushtarak mes Iranit dhe Azerbajxhanit do të forcohet

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneralmajor Mohammad Bagheri deklaroi se regjimi izraelit është shkaku kryesor i mosmarrëveshjeve në rajon dhe përbën një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e të gjitha vendeve të rajonit.

Bagheri i bëri këto komente në një takim të martën me ministrin e Mbrojtjes të Azerbajxhanit, gjeneral kolonel Zakir Hasanov, i cili mbërriti në Teheran në krye të një delegacioni ushtarak azer. Hasanov është planifikuar të zhvillojë bisedime me ministrin e Mbrojtjes të Iranit, gjeneral brigade Mohammad Reza Ashtiani. Gjeneral Bagheri shprehu shpresën se vizita e ministrit të Mbrojtjes së Azerbajxhanit do të jetë një mundësi për të dyja palët për të forcuar bashkëpunimin teknik dhe ushtarak mes dy vendeve. Ai theksoi rëndësinë e më shumë konsultimeve midis zyrtarëve iranianë dhe azerbajxhanas për të parandaluar keqkuptimet, dhe shtoi: “Qëndrimi ynë parimor është që çështjet në rajon të zgjidhen nga vendet e rajonit pa asnjë ndërhyrje të huaj”. Komandanti i lartë iranian tha se integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet dhe se Irani është i ndjeshëm për integritetin territorial të Azerbajxhanit. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit tha se çlirimi i territoreve të pushtuara të Azerbajxhanit në një luftë me Armeninë fqinje pas rreth tre dekadash gëzoi Liderin Suprem të Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei dhe popullin e Iranit. Bagheri përsëriti më tej politikën e Republikës Islamike për zgjerimin e marrëdhënieve me fqinjët, duke thënë se Irani dhe Azerbajxhani kanë shumë të përbashkëta në histori, fe, gjuhë, ndër të tjera dhe iranianët ndihen të afërt me popullin mysliman në Azerbajxhan. Ai shprehu gatishmërinë e Iranit për të marrë pjesë në projektet për rindërtimin e territoreve të çliruara të Azerbajxhanit. Më tej në fjalën e tij, Bagheri paralajmëroi se terroristët në Siri dhe Irak janë mundur, por nuk janë eliminuar, duke thënë: “Këta terroristë po përpiqen të rrisin praninë e tyre në rajon, duke përfshirë Afganistanin, Kaukazin dhe Azinë Qendrore”. Ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit shtjelloi çlirimin e territoreve të pushtuara gjatë luftës 44-ditore me Armeninë.