Amir Abdulahjan: Një marrëveshje e besueshme mund të arrihet në Vjenë
Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit theksoi se një marrëveshje e mirë dhe e besueshme është në dispozicion nëse Amerika merr një vendim politik dhe u përmbahet angazhimeve të veta.
Raundi i tetë i bisedimeve në Vjenë, me fokus heqjen e sanksioneve mizore dhe të paligjshme kundër Iranit, i cili filloi më 8 shkurt në kryeqytetin austriak, Vjenë, është futur në një pauzë për herë të dytë më 11 mars.
Që nga fillimi i bisedimeve në Vjenë, qeveria amerikane është përpjekur vazhdimisht të akuzojë palët e tjera për ngadalësimin e procesit të bisedimeve dhe për krijimin e pengesave në bisedime, në vend që të propozojë iniciativa praktike për avancimin e bisedimeve.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se ministri i punëve të jashtme të Iranit, Husejn Amir-Abdulahjan sot (e premte) në llogarinë e tij në Twitter në lidhje me vizitën e Enrique Mora, koordinatorit të bisedimeve të Vjenës, në Teheran shkroi: "Në marrëveshjen me Joseph Borrell, shefin e diplomacisë evropiane, vizita e Enrique Mora në Teheran dhe bisedimet e tij me kolegun tim Ali Bagheri Kani, zëvendësministër i jashtëm i Iranit, ishin një mundësi tjetër për t'u fokusuar në iniciativat për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në bisedimet e Vjenës."
Amir Abdulahjan më tej ka shkruar: "Kontaktet vazhdojnë".
Republika Islamike e Iranit ka theksuar se, duke qenë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë palë që kanë shkelur marrëveshjen bërthamore, tani është Uashingtoni që duhet t'i kthehet marrëveshjes duke hequr sanksionet ndaj Iranit dhe zbatimi i angazhimeve të SHBA-ve duhet të verifikohet.
Teherani, natyrisht, ka theksuar se nuk këmbëngul dhe as nuk nxiton që SHBA të kthehet në marrëveshje.