Irani dhe Rusia nënshkruajnë marrëveshje të mëdha për energjinë dhe lidhjet bankare
Irani dhe Rusia kanë nënshkruar tre memorandume të mëdha mirëkuptimi për të zgjeruar lidhjet energjetike dhe bankare, tha ministri iranian i Naftës, Xhavad Ouxhi.
Sipas raportit të agjencisë së lajmeve IRNA, memorandumet e mirëkuptimit u nënshkruan të mërkurën gjatë një takimi në Teheran ku morën pjesë Ouxhi dhe zëvendëskryeministri rus Alexander Novak. Të dy zyrtarët shërbejnë si bashkëkryetarë të komisionit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Iran-Rusi. Agjencia zyrtare IRNA citoi ministrin Ouxhi të thoshte se Irani dhe Rusia kishin rënë dakord të përdorin monedhat kombëtare për shkëmbimet e tregtisë dhe për pagesat e energjisë. Novak i tha agjencisë zyrtare ruse të lajmeve Tass se Moska dhe Teherani kishin rënë dakord të "kalojnë në nivelin më të lartë të mundshëm të shkëmbimeve në monedhat kombëtare". Zëvendëskryeministri rus tha se Irani dhe Rusia do të vazhdojnë bisedimet për të lidhur sistemet e tyre elektronike të pagesave si dhe sistemet e tyre të mesazheve financiare. Ministri iranian i Naftës, Xhavad Ouxhi tha se përfaqësuesit e qeverisë iraniane dhe ruse kishin nënshkruar gjithashtu memorandume të mirëkuptimit mbi projektet e përbashkëta në sektorët të naftës dhe gazit. Ai tha se sipas marrëveshjeve, Irani do të jetë në gjendje të eksportojë produkte petrokimike dhe shërbime teknike dhe inxhinierike në Rusi, duke përfshirë një teknologji për prodhimin e katalizatorëve. Ministri iranian i Naftës tha se Irani dhe Rusia do të kërkojnë të arrijnë një objektiv prej 40 miliardë dollarësh në vlerë vjetore të lidhjeve ekonomike, si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët nga të dy vendet për të kompensuar ndikimet e sanksioneve amerikane mbi ekonomitë e tyre.