Bisedimet për heqjen e sanksioneve kundër Iranit nisën në kryeqytetin e Katarit
(last modified Tue, 28 Jun 2022 18:46:16 GMT )
Qershor 28, 2022 20:46 Europe/Tirane
  • Bisedimet për heqjen e sanksioneve kundër Iranit nisën në kryeqytetin e Katarit

Një raund i ri negociatash mbi heqjen e sanksioneve kundër Iranit ka nisur në kryeqytetin e Katarit, Doha, në një proces diplomatik që synon të thyejë ngërçin në ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA raportoi të martën se kryenegociatori iranian Ali Bagheri Kani, i cili gjithashtu shërben si zëvendësministër i Jashtëm i Iranit, ishte takuar në Doha me zëvendës-shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Enrique Mora. Raportet e mediave thanë se Robert Malley, i dërguari special i SHBA-së për Iranin, kishte zbarkuar gjithashtu në Katar për rifillimin e diskutimeve indirekte me Teheranin rreth mënyrave për të ringjallur marrëveshjen me Iranin. BE-ja ka për detyrë të koordinojë negociatat indirekte midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara gjatë procesit. Irani nuk pranon të ulet në bisedime direkte me SHBA-në pasi konsideron se Amerika nuk është më palë në marrëveshjen bërthamore. Bisedimet në Doha pasojnë disa raunde negociatash në kryeqytetin austriak Vjenë që nga prilli i vitit të kaluar për të ringjallur marrëveshjen historike, e cila u braktis në mënyrë të njëanshme nga ish-presidenti i SHBA Donald Trump në maj 2018. Ish-zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Said Khatibzadeh, tha në një konferencë shtypi të hënën se negociatorët nuk do të diskutojnë çështjet bërthamore, por përkundrazi, ata do të fokusohen në çështjet e mbetura pezull në lidhje me heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Iranit. Zëdhënësi përsëriti se Teherani nuk do të zhvillojë asnjë negociatë të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara për ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015, duke theksuar se "bisedimet do të ishin indirekte dhe do të lehtësoheshin nga Bashkimi Evropian".