Presidentët e Rusisë dhe Turqisë do të vizitojnë Iranin
Presidenti rus Vladimir Putin planifikon të udhëtojë në Teheran për të marrë pjesë në bisedimet e paqes për Sirinë me homologët e tij turq dhe iranianë, njoftoi Kremlini.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të martën se Putin do të zhvillojë bisedime me presidentin iranian Ebrahim Raisi dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan më 19 korrik. Ai gjithashtu shtoi se në agjendë janë edhe takimet dypalëshe mes Putinit dhe zyrtarëve të lartë të Republikës Islamike të Iranit. Kryetari i komisionit ekonomik të Parlamentit iranian Mohammad-Reza Pur-Ebrahimi tha se pas vizitës së Presidentit iranian në Rusi, u krijua një atmosferë pozitive në lidhje me bashkëpunimin ekonomik irano-rus dhe shtoi: “Gjatë kësaj vizite u nënshkruan marrëveshje shumë të mira. Presidenti Raisi nisi një epokë të re në marrëdhëniet ekonomike Iran-Rusi dhe siguroi rusët për gatishmërinë e Republikës Islamike për të bashkëpunuar me Rusinë".