Bashkëpunimi ruso-iranian në teknologjinë moderne daton para luftës në Ukrainë
Teherani theksoi se bashkëpunimi midis Iranit dhe Rusisë në fushën teknologjive moderne daton para fillimit të luftës në Ukrainë.
“Asnjë ndryshim nuk ka ndodhur në këtë bashkëpunim në kohët e fundit”, tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Naser Kanani, duke iu referuar bashkëpunimit teknologjik midis dy palëve. Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan pretendoi se Uashingtoni kishte marrë "informacion" që tregonte se Irani po përgatitej t'i dërgonte Rusisë "deri në disa qindra dronë, duke përfshirë dronë të armatosur në një afat kohor të përshpejtuar.” Kanani përsëriti qëndrimin e Iranit për kundërshtimin e luftës në Ukrainë. “Pozicioni i Republikës Islamike në lidhje me luftën në Ukrainë është plotësisht i qartë dhe është shpallur vazhdimisht në mënyrë zyrtare”, tha ai. Naser Kanani tha se pretendimi i paraqitur nga zyrtari amerikan kundër Iranit vjen ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa prej vitesh i kanë kthyer forcat pushtuese dhe agresore, duke përfshirë ato në rajonin e Azisë Perëndimore, në "një depo të armëve të tyre më vdekjeprurëse". “Është e sigurt se pa këto armatime, vazhdimi i mizorive dhe pushtimit prej më shumë se shtatë dekadash të sionistëve nuk do të ishte i mundur,” vuri në dukje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.