Turqia kërkon më shumë gaz dhe naftë nga Irani
(last modified Tue, 26 Jul 2022 18:51:14 GMT )
Korrik 26, 2022 20:51 Europe/Tirane
  • Turqia kërkon më shumë gaz dhe naftë nga Irani

Presidenti i Turqisë njoftoi se vendi i tij do të rrisë importin e naftës dhe gazit nga Republika Islamike e Iranit.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një intervistë për kanalin "TRT" lidhur me tregtinë me fqinjët tha: Bashkëpunimi tregtar dhe dypalësh me vendet fqinje do të vazhdojë dhe në të njëjtën kohë synimi i Ankarasë është të shtojë blerjen e naftës dhe gazit nga Irani. Në këtë intervistë ai deklaroi se vëllimi i tregtisë mes Iranit dhe Turqisë do të arrijë në 30 miliardë dollarë në vit. Erdogan njoftoi tetë marrëveshje të rëndësishme me zyrtarët iranianë gjatë udhëtimit të tij të fundit në Teheran. Të dy vendet kanë krijuar një bashkëpunim të gjerë në fushën e naftës dhe gazit natyror që nga viti 1990. Në këtë drejtim, që nga viti 1997, është nënshkruar marrëveshja për eksportin e gazit iranian në Turqi për 25 vjet. Rinovimi i marrëveshjes 25-vjeçare për eksportin e gazit natyror nga Irani në Turqi bëhet në një kohë kur edhe eksporti i naftës bruto iraniane drejt Turqisë është rritur. Vlera e tregtisë ndërmjet Iranit dhe Turqisë është 20 miliardë dollarë në vit dhe nëse marrëveshjet mes dy vendeve zbatohen, kjo shifër mund të rritet edhe në 50 miliardë dollarë në vit. Eksportet e gazit të Iranit në Turqi kohët e fundit kanë marrë më shumë rëndësi. Pas luftës së Ukrainës me Rusinë, disa vende në rajon kanë bërë përpjekje shtesë për të zëvendësuar gazin natyror rus në tregjet e konsumit në Bashkimin Evropian. Azerbajxhani dhe Turqia kanë ndërmarrë hapa në këtë fushë. Autoritetet e Republikës së Azerbajxhanit kanë nënshkruar së fundmi një marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe kanë ngritur zyrtarisht çështjen e zëvendësimit të gazit rus. Në këtë drejtim, autoritetet turke po përpiqen gjithashtu të zvogëlojnë problemet e tyre me Bashkimin Evropian duke ndihmuar Republikën e Azerbajxhanit dhe duke plotësuar nevojat e Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, duket se duke rritur blerjen e gazit natyror nga Irani, Turqia synon të luajë një rol të besueshëm dhe me ndikim në tregjet e konsumit botëror si shitës dytësor i gazit natyror. Së fundmi, Teherani priti takimin e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Iran-Turqi me praninë e Ajetollah Sejed Ebrahim Raisi dhe Rexhep Tajip Erdogan, presidentë të të dy vendeve. Në konferencën e tij të fundit për shtyp me Presidentin iranian Ajetollah Raisi në Teheran, Presidenti i Turqisë deklaroi: “Ne patëm një takim dypalësh me vëllain tim të dashur dhe mbajtëm me sukses takimin e shtatë të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Turqi-Iran. Në këtë takim, Republika Islamike e Iranit deklaroi gatishmërinë për të siguruar energji të qëndrueshme për Turqinë përmes eksportit të gazit. Në këtë kuadër, u ra dakord që në axhendën e palëve të jetë zgjatja e kontratës së eksportit të gazit nga Irani në Turqi për 25 vitet e ardhshme dhe rritja e sasisë së eksportit të gazit. Vlen të theksohet se negociatat për këtë marrëveshje kanë nisur.