Irani do të vazhdojë pasurimin e uraniumit për t'i shërbyer nevojave kombëtare
Ndërsa Teherani filloi të furnizojë me gaz qindra makineri të avancuara IR-1 dhe IR-6, zëdhënësi i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit (AEOI) tha se procesi i pasurimit të uraniumit do të vazhdojë për të përmbushur nevojat e vendit.
Në komentet për rrjetin televiziv Al-Mayadeen të martën, Behruz Kamalvandi shtoi se palët në bisedimet bërthamore në Vjenë e dinin mirë se AEOI ishte e angazhuar për zbatimin e një ligji parlamentar që synon të kundërshtojë sanksionet e vendosura ndaj Iranit për programin e tij paqësor bërthamor. Sipas ligjit, i quajtur Veprimi Strategjik për Heqjen e Sanksioneve dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Kombit, AEOI ka përmbushur një sërë detyrash dhe obligimesh. Zyrtari iranian tha se ligji e detyronte AEOI të fillojë operimin e 1,000 centrifugave IR-6. Irani më parë kishte vënë në funksionim 500 centrifuga të avancuara IR-6 dhe më vonë ka përfunduar detyrën duke vënë në funksion 500 të tjera, tha Kamalvandi. “Dje, ne filluam të injektojmë gaz në centrifuga,” shpjegoi ai. Kamalvandi, megjithatë, theksoi se Teherani kishte informuar tashmë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) për masat e tij bërthamore. Kamalvandi ripohoi gatishmërinë e Iranit për të rifilluar angazhimet e tij sipas marrëveshjes bërthamore nëse palët e mbetura në marrëveshje kthehen në detyrimet e tyre.