Rinisin në Vjenë bisedimet për heqjen e sanksioneve kundër Iranit
Bisedimet për heqjen e sanksioneve kundër Teheranit dhe ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit kanë rifilluar në kryeqytetin austriak Vjenë, ndërsa negociatori kryesor i Iranit Ali Bagheri Kani u takua me zëvendës-shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Enrique Mora.
Media shtetërore e Iranit njoftoi të enjten se Bagheri Kani ishte "takuar dhe ka biseduar" me zëvendës-shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian si pjesë e negociatave të gjata për heqjen e sanksioneve kundër Republikës Islamike. Bagheri Kani u raportua gjithashtu se kishte mbajtur një takim më herët me delegacionin rus në Vjenë. Mikhail Ulyanov, negociatori kryesor i Rusisë në bisedimet e Vjenës, tha në një postim në llogarinë e tij në Twitter se kishte pasur negociata "të sinqerta, pragmatike dhe konstruktive" me kreun e delegacionit iranian për ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015. Ali Bagheri Kani tha se ai po shkonte në Vjenë "për të çuar përpara negociatat", duke i kërkuar SHBA-së që "të shfrytëzojë mundësinë". “Përgjegjësia bie mbi ata që e shkelën marrëveshjen dhe nuk kanë arritur të distancohen nga trashëgimia e dështuar”, tha zëvendësministri i Jashtëm iranian duke shtuar: "SHBA duhet të shfrytëzojë mundësinë e ofruar nga bujaria e partnerëve të marrëveshja bërthamore; topi është në fushën e tyre për të treguar pjekuri dhe për të vepruar me përgjegjësi."