Përfundojnë negociatat në Vjenë; Ekipi negociator iranian kthehet në Teheran
Me përfundimin e këtij raundi të bisedimeve për anulimin e sanksioneve ndaj Iranit në Vjenë, ekipi negociator iranian do të kthehet sot në Teheran.
Ndërkohë, konsultimet dhe telefonatat me Enrique Mora, koordinatorin e bisedimeve dhe palët e tjera do të vazhdojnë. Një zyrtar i lartë në Ministrinë e Jashtme të Iranit tha se është bërë përparim relativ gjatë raundit të ri të bisedimeve për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. I cituar nga agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA të hënën, zyrtari i paidentifikuar tha se gjatë këtij raundi bisedimesh në kryeqytetin austriak Vjenë, Irani informoi palët e tjera për qëndrimet e tij dhe shtoi se "u bënë përparime relative në një numër çështjesh". Ai shtoi se zëvendësshefi i politikës së jashtme të BE-së, Enrique Mora, u ka ofruar palëve në negociata disa ide për një sërë çështjesh të pazgjidhura në funksion të diskutimeve të zhvilluara në tre ditët e fundit. “Sapo i morëm këto ide, e informuam për përgjigjet dhe konsideratat tona parësore. Natyrisht, çështje të tilla kanë nevojë për diskutime më gjithëpërfshirëse dhe ne do t'i përcjellim pikëpamjet dhe konsideratat tona shtesë te z.Enrique Mora dhe palët e tjera”, tha zyrtari iranian. Ai shtoi: “Nuk ka dyshim se parimi më themelor për ne është mbrojtja e të drejtave dhe përmbushja e interesave të kombit iranian”.