Reagimi i Iranit ndaj trillimeve të reja të Amerikës
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, në përgjigje të trillimit të ri të autoriteteve gjyqësore amerikane, paralajmëroi kundër çdo veprimi ndaj shtetasve iranianë nën pretekstin e akuzave qesharake.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Nasser Kanani, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, tha: Në vazhdimësi të akuzave të pafundme të këtij vendi ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe vazhdimit të politikës së dështuar iranofobike, në një rrëfim të ri, autoritetet gjyqësore amerikane kanë ngritur akuza pa dhënë prova të vlefshme dhe dokumentacion të nevojshëm. Kanani shtoi: Pretendime të tilla të pabaza bëhen me motive dhe qëllime politike dhe në fakt ata duke krijuar propagandë të këtillë mundohen t’i shpëtojnë përgjegjësisë për t'iu përgjigjur krimeve të shumta terroriste në të cilat është përfshirë drejtpërdrejt qeveria amerikane, siç është vrasja frikacake e gjeneralit martir Kasem Sulejmani, ose si krimet terroriste të kryera nga regjimi sionist dhe grupet terroriste si ISIS që janë bërë me mbështetjen e Amerikës. Zëdhënësi i sistemit diplomatik të Iranit tha: Gërshetimi i këtyre legjendave propagandistike dhe të pabaza po kthehet në një procedurë të përsëritur në sistemin gjyqësor dhe propagandistik amerikan dhe kësaj radhe, për të çuar përpara këtë proces është përdorur ndërtimi i skenarëve në lidhje me elementë të falimentuar politikisht dhe pa vlerë si Bolton. Ai tha: Republika Islamike e Iranit paralajmëron fuqishëm kundër çdo veprimi kundër qytetarëve iranianë nën pretekstin e këtyre akuzave qesharake dhe thekson se rezervon të drejtën për të ndërmarrë çdo veprim brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtat e qeverisë dhe qytetarëve të Republikës Islamike të Iranit. Të mërkurën, Departamenti Amerikan i Drejtësisë lëshoi një deklaratë duke pretenduar se një shtetas iranian i cili është anëtar i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike është akuzuar për tentativën për të vrarë John Bolton, ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka pretenduar se i akuzuari, i cili është 45 vjeç, synonte të paguante 300 mijë dollarë për të punësuar njerëz për të kryer këtë vrasje. Në këtë deklaratë thuhet se motivi i këtij personi ka qenë ndoshta hakmarrja për vrasjen e gjeneralit Kasem Sulejmani, ish-komandantit të Forcave Kods të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.