Irani do të nisë stërvitje masive ushtarake me dron
Republika Islamike do të organizojë stërvitje në shkallë të gjerë me dronë në të gjithë vendin me pjesëmarrjen e njësive të ndryshme të Ushtrisë, njoftoi një komandant i lartë i Ushtrisë iraniane.
Zëvendësshefi Koordinativ i Ushtrisë iraniane, Admirali Habibollah Sajari e bëri njoftimin të martën, duke thënë se stërvitjet masive do të nisin më 24 gusht dhe do të përfshijnë më shumë se 150 dronë të rinj të avancuar. Dronët, tha ai, janë prodhuar nga Ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes e Iranit në bashkëpunim me kompanitë shkencore vendase, dhe ata do të testohen në rrethana luftarake në stërvitjen e ardhshme. "Saktësia dhe fuqia e armëve... aftësitë e sistemeve të drejtimit dhe kontrollit dhe aftësitë luftarake të dronëve janë ndër parametrat që do të testohen dhe vlerësohen në këtë stërvitje," tha Admiral Sajari. "Kjo është hera e parë që një stërvitje e përbashkët me dronë kryhet në nivel të katër forcave të Ushtrisë së Republikës Islamike të Iranit dhe bazës së përbashkët të mbrojtjes ajrore të vendit," shtoi ai. Zëvendësshefi Koordinativ i Ushtrisë iraniane vazhdoi duke thënë se kjo është vetëm një pjesë e fuqisë së dronëve të Ushtrisë së Iranit, “e cila po kryen operacione në misione të ndryshme zbulimi, vëzhgimi dhe luftarake”. Sipas komandantit të lartë iranian, stërvitjet do të mbulojnë të gjitha zonat në të gjithë Iranin, nga Gjiri Persik dhe Deti i Omanit në jug, deri në pjesët veriore dhe qendrore të vendit. Ekspertët dhe teknikët ushtarakë iranianë kanë bërë përparime të konsiderueshme në vitet e fundit në prodhimin e një game të gjerë pajisjesh indigjene, duke i bërë Forcat e Armatosura të vetë-mjaftueshme në sferën e armëve.