Teherani: Problemi i Irakut duhet të zgjidhet përmes kanaleve ligjore
Ministri i Jashtëm i Iranit ka theksuar nevojën për ruajtjen e unitetit kombëtar të Irakut, duke thënë se problemet e vendit duhet të zgjidhen përmes kanaleve ligjore.
Hossein Amir-Abdollahian e bëri këtë koment në një takim të hënën me homologun e tij irakian, Fuad Hussein, në Teheran. Gjatë takimit, kryediplomati iranian theksoi nevojën e ruajtjes së stabilitetit, paqes dhe unitetit kombëtar të Irakut, ndërsa u bëri thirrje të gjitha grupeve politike që të respektojnë institucionet ligjore të vendit. Amir-Abdollahian shtoi se të gjitha problemet aktuale në Irak duhet të zgjidhen përmes kanaleve ligjore duke treguar respekt për sovranitetin e qeverisë. Ai bëri thirrje gjithashtu për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik mes dy vendeve duke përfituar nga potencialet e tyre ekzistuese. Ministri i Jashtëm irakian nga ana e tij tha se siguria e Iranit dhe Irakut janë të ndërthurura, duke theksuar se vendi i tij nuk do të lejojë që territori irakian të përdoret për të paraqitur ndonjë kërcënim për Republikën Islamike. Fuad Hussein tha se Iraku i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Iranin, duke vlerësuar pikëpamjet konstruktive të zyrtarëve iranianë mbi zhvillimet e brendshme në Irak.