Irani gati të presë raundin e ri të komisionit ekonomik me Indinë
(last modified Mon, 05 Sep 2022 06:12:34 GMT )
Shtator 05, 2022 08:12 Europe/Tirane
  • Irani gati të presë raundin e ri të komisionit ekonomik me Indinë

Ministri i Jashtëm iranian në një bisedë telefonike me homologun e tij indian njoftoi gatishmërinë e Iranit për të pritur raundin e ri të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit Ekonomik Iran-Indi.

Hossein Amir-Abdollahian në një bisedë telefonike të zhvilluar dielën në mbrëmje me ministrin e Jashtëm indian, Subrahmanyam Jaishankar, shkëmbeu mendime mbi çështjet në agjendën e marrëdhënieve dypalëshe dhe disa çështje që kanë nevojë për përpjekje të ndërsjella në fushën rajonale dhe ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm iranian fillimisht përcolli përshëndetjet e ngrohta të presidentit Ebrahim Raisi për kryeministrin indian Narendra Modi. Amir-Abdollahian iu referua tendencës së zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe tha se arritjet e vizitës së tij të fundit në Indi janë mjaft të kënaqshme, si dhe njoftoi se Republika Islamike e Iranit është e gatshme të zbatojë pikat e marrëveshjeve të arritura me Indinë gjatë asaj vizite zyrtare. Amir-Abdollahian e informoi homologun e tij indian mbi zhvillimet e fundit në bisedimet bërthamore të Iranit me fuqitë botërore dhe vlerësoi përpjekjet e Nju Delhit që synojnë afrimin e pikëpamjeve të palëve të përfshira në këto bisedime. Edhe ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar në këtë bisedë telefonike tha se niveli i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh është i mirë dhe i kënaqshëm, duke shprehur shpresën se bashkëpunimi gjithëpërfshirës Iran-Indi do të përmirësohet edhe më tej. Diplomati i lartë indian theksoi se Nju Delhi ka mbështetur gjithmonë zgjidhjen e çështjes bërthamore të Iranit, duke e siguruar z. Amir-Abdollahian që India gjithashtu do të vazhdojë ta bëjë këtë në të ardhmen. Në lidhje me raundin e ri të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit Ekonomik Iran-Indi dhe hartimin e një udhërrëfyesi për lidhjet dypalëshe, Jaishankar shprehu shpresën se duke ndjekur çështjet më të rëndësishme në lidhjet dypalëshe, "do të jemi dëshmitarë të zgjerimit gjithëpërfshirës dhe afatgjatë" të marrëdhënieve Teheran-Nju Delhi.