Presidenti iranian dhe ai francez takohen në Nju Jork
Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron u takuan dhe zhvilluan bisedime të martën në Nju Jork në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Muajt e fundit presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar disa biseda telefonike me homologun e tij iranian Ebrahim Raisi. Megjithëse Macron kishte nënvizuar tashmë se topi është në fushën e Iranit dhe një marrëveshje është "e dobishme" edhe nëse nuk i zgjidh të gjitha çështjet, ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna përsëriti mbrëmë pretendimin se Irani e zvarriti marrëveshjen në Vjenë. Ndërkohë, Irani thotë se një marrëveshje efektive dhe e qëndrueshme për heqjen e sanksioneve do të arrihet kur të përmbushen interesat ekonomike të kombit iranian. Presidenti iranian Ebrahim Raeisi kritikoi vendet evropiane që kanë ndjekur një rezolutë kundër programit bërthamor të Teheranit në mes të përpjekjeve diplomatike që synojnë ringjalljen e marrëveshjes së 2015-ës. Gjatë bisedimeve, presidenti iranian i përshkroi çështjet e pazgjidhura midis Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) si një "pengesë serioze" për një marrëveshje përfundimtare. “Qasja e Agjencisë ndaj çështjeve duhet të jetë teknike dhe e lirë nga presionet dhe ndikimet e palëve të tjera. Ne besojmë se nuk është e mundur të arrihet një marrëveshje pa mbylljen e dosjeve të Iranit në ANEA”, shtoi Raisi. Ai kritikoi një lëvizje të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar - tre nënshkruesit evropianë të marrëveshjes me Iranin - për miratimin e një rezolute në takimin e fundit të Bordit të Guvernatorëve të ANEA-së në fillim të këtij muaji, duke e përshkruar atë si një qasje "jokonstruktive" që i ndërlikon më tej gjërat.