Raisi: Demonstratat e së premtes portretizojnë fuqinë e Republikës Islamike
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i132298-raisi_demonstratat_e_së_premtes_portretizojnë_fuqinë_e_republikës_islamike
Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi deklaroi se demonstratat mbarëkombëtare të zhvilluara të premten në mbështetje të Republikës Islamike portretizojnë fuqinë e sistemit të RII.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shtator 23, 2022 17:25 Europe/Tirane
  • Raisi: Demonstratat e së premtes portretizojnë fuqinë e Republikës Islamike

Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi deklaroi se demonstratat mbarëkombëtare të zhvilluara të premten në mbështetje të Republikës Islamike portretizojnë fuqinë e sistemit të RII.

“Prania e popullit sot është fuqia dhe nderi i Republikës Islamike”, tha Presidenti Raisi të premten në mbrëmje, pas kthimit nga Nju Jorku, ku mori pjesë në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vullneti i popullit në mbrojtje të vendit neutralizoi komplotin e armiqve, tha presidenti Raisi. Iranianët në të gjithë vendin pas namazit të së premtes, dolën në rrugë për të dënuar trazirat e dhunshme të fundit, të cilat shpërthyen pas vdekjes së Mahsa Amini. 22-vjeçarja humbi jetën në një spital në Teheran pas ndalimit nga policia. Zyrtarët thonë se një hetim i plotë për rastin e Amini është duke u zhvilluar. Presidenti Raisi tha se armiqtë e Iranit bënë përpjekje të mëdha për të heshtur zërin e popullit iranian gjatë udhëtimit të tij në Nju Jork. Megjithatë, tha ai, ata nuk arritën ta përmbushin objektivin e tyre. Kombi iranian kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve dhe fundin e standardeve të dyfishta në lidhje me të drejtat e njeriut, tha Raisi. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ishte një mundësi për të prezantuar pikëpamjet e Republikës Islamike, tha ai. Presidenti iranian ceku edhe takimin e tij të enjten me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, ku nënvizoi nevojën për të ndaluar ndërhyrjet e huaja në punët e brendshme të vendeve të tjera. “Kombet e Bashkuara duhet të jenë vërtet një organizatë për kombet, jo organizatë e fuqive të mëdha”, i kishte thënë Raisi shefit të OKB-së në takim. Presidenti i Iranit gjatë qëndrimit pesëditor në Nju Jork përveç fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme zhvilloi shumë takime me liderë dhe kryetarë të qeverive të vendeve të botës.