Raisi: Populli është faktori më i rëndësishëm i fuqisë së Iranit
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se faktori dhe elementi më i rëndësishëm i fuqisë së Iranit është prania e qytetarëve në skenën e zhvillimeve të ndryshme, prandaj pikërisht për këtë qëllim armiqtë e Iranit po përpiqen ta dobësojnë këtë element të fuqisë.
Sejed Ebrahim Raisi, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, sot ka filluar një vizitë në qytetin Birxhand të provincës Khorasani Jugor në lindje të Iranit.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se Sejed Ebrahim Raisi, gjatë një tubimi me qytetarët e provincës Khorasani Jugor, duke kujtuar faktin se armiqtë po vazhdojnë përpjekje për ta goditur popullin iranian si mbështetësi kryesor i Iranit Islamik, deklaroi: "Shtetet kryesisht bazohen në armë dhe elementi më i rëndësishëm i tyre është fuqia ushtarake, mirëpo për dallim nga ata, elementi më i rëndësishëm i fuqisë së Iranit është prania e qytetarëve të devotshëm në skenën e zhvillimeve të ndryshme shoqërore dhe politike të vendit".
Raisi duke vë në dukje përpjekjet e armiqve për ta goditur dhe dëmtuar besimin e popullit iranian te sistemi i Republikës Islamike dhe për ta dëmtuar vullnetin publik në unitetin dhe solidaritetin e popullit që konsiderohet mbështetësi më i fuqishëm i Iranit Islamik, deklaroi: "Në të gjitha komplotet që janë bërë që nga fitorja e Revolucionit Islamik, populli iranian gjithnjë me zgjuarsinë dhe vigjilencën e vet i ka neutralizuar komplotet e armikut. Ne theksojmë në ruajtjen e pavarësisë së Iranit ndërkohë që armiku synon ta shndërrojë Iranin në një shtet të varur. Populli i Iranit me vullnetin dhe moralin e vendosur që ka për pavarësi, ka prishur dhe neutralizuar të gjitha planet e armiqve në këtë drejtim. Sanksionet nuk do ta ndalin progresin dhe zhvillimin e Iranit. Sot në rajon dhe në nivel botëror jemi duke bërë përpjekje të mëdha dhe jemi duke e bërë atë që bëhej para sanksioneve dhe kjo tregon se sanksionet në fushën e eksporteve naftore dhe jonaftore, e kanë humbur efikasitetin e tyre. Sanksionet mund të kenë krijuar dhe të krijojnë disa probleme dhe vështirësi për vendin dhe popullin e Iranit, mirëpo me ndihmën e popullit, do t'i neutralizojmë sanksionet dhe do t'i shndërrojmë ato në një rast për zhvillim".