Në Teheran zhvillohet sesioni i tretë i Forumit për Dialog
Sesioni i tretë i Forumit të Teheranit për Dialog ka filluar sot me pjesëmarrjen e ministrit të punëve të jashtme të Iranit, ambasadorëve, funksionarëve politikë, drejtuesve të qendrave të mendimit dhe mendimtarëve nga 36 vende të botës.
Sesioni i tretë i Forumit të Teheranit për Dialog (TDF 2022) u zhvillua sot në Qendrën për Studime Politike dhe Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit.
Husejn Amir Abdulahjan, ministri i punëve të jashtme të Iranit, ishte prej folësve të parë të këtij forumi dhe përveç tij, kanë folur edhe disa përfaqësues nga vendet fqinjë, vendet e rajonit të Azisë Perëndimore dhe disa përfaqësues nga vende të tjera të botës të cilët kanë shprehur pikëpamjet e tyre në lidhje me temat e diskutimit.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se "Politika e Fqinjësisë së Republikës Islamike të Iranit, një rrugë drejt miqësisë dhe krijimit të besimit", ishte tema më kryesore e sesionit të këtij viti të Forumit të Teheranit për Dialog dhe rreth kësaj teme do të diskutojnë rreth 70 të ftuar nga 36 vende të botës.
Drejtuesit e qendrave të brendshme të mendimit, ambasadorë dhe shefa të përfaqësive të huaja në Teheran gjithashtu janë pjesëmarrës në këtë Forum.
Në katër konferenca të ndara të cilat do të zhvillohen gjatë Forumit të Teheranit për Dialog pas ceremonisë së hapjes, do të diskutohen zhvillimet më të fundit në rajonin e Azisë Perëndimore, siguria në Gjirin Persik, lidhjet rajonale dhe siguria e energjisë, kriza e Ukrainës dhe pasojat rajonale dhe globale të saj, si dhe perspektiva e paqes dhe qeveria gjithëpërfshirëse në Afganistan.