Ambasadori francez thirret në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Iranit
Ambasadori i Francës në Teheran është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Iranit pas veprimit poshtërues të një botimi francez në fyerje të autoritetit, shenjtërive dhe vlerave fetare dhe kombëtare.
Revista franceze Charlie Hebdo ia kushtoi numrin e saj special të sotëm (4 janar) kësaj çështjeje me imazhe tejet nënçmuese së bashku me fjalë e fraza të shëmtuara dhe fyese, pas aktit të saj qesharak të lansimit të një konkursi ndërkombëtar për vizatimin e karikaturave. Gjatë takimit me ambasadorin francez, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Naser Kanani, duke informuar qeverinë franceze për protestën e fortë të Teheranit, tha se Republika Islamike e Iranit nuk pranon në asnjë mënyrë ofendimin e shenjtërive dhe vlerave të saj islame, fetare dhe kombëtare dhe Franca nuk ka të drejtë të ofendojë vlerat e shenjta të popujve me pretekstin e lirisë së fjalës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, duke iu referuar historisë së zezë të revistës franceze në sulmin ndaj figurës së shenjtë të Profetit të Islamit, të Kuranit të Shenjtë dhe të fesë islame, sqaroi se Republika Islamike e Iranit mban përgjegjëse qeverinë franceze për këto akte të urryera, fyese dhe të pajustifikuara. Duke thënë se Republika Islamike e Iranit rezervon të drejtën të përgjigjet në mënyrë proporcionale, Kanani i dorëzoi ambasadorit francez, Nicolas Roche, notën zyrtare të protestës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit dhe shtoi se Republika Islamike e Iranit është në pritje të një shpjegimi dhe veprimi kompensues të qeverisë franceze e cila duhet të dënojë sjelljen e papranueshme të botimit francez.Nicolas Roche, ambasadori francez në Iran, theksoi gjithashtu se do të përcjellë menjëherë pikëpamjet e shprehura dhe tekstin e notës së protestës autoriteteve të vendit të tij.