Bota mirëpret afrimin mes Iranit dhe Arabisë Saudite, ndërsa Izraeli frikësohet
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i140954-bota_mirëpret_afrimin_mes_iranit_dhe_arabisë_saudite_ndërsa_izraeli_frikësohet
Vende të ndryshme kanë mirëpritur rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Iranit dhe Arabisë Saudite, ndërsa regjimi i Tel Avivit duket se e sheh këtë zhvillim si një "goditje fatale" ndaj planeve të tij për ndërtimin e koalicionit rajonal kundër Republikës Islamike.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Mars 10, 2023 18:55 Europe/Tirane
  • Bota mirëpret afrimin mes Iranit dhe Arabisë Saudite, ndërsa Izraeli frikësohet

Vende të ndryshme kanë mirëpritur rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Iranit dhe Arabisë Saudite, ndërsa regjimi i Tel Avivit duket se e sheh këtë zhvillim si një "goditje fatale" ndaj planeve të tij për ndërtimin e koalicionit rajonal kundër Republikës Islamike.

Zhvillimi i rëndësishëm u bë shpejt një temë e nxehtë në mediat rajonale dhe ndërkombëtare dhe nga vende të tjera filluan të vërshojnë reagimet. "Kthimi në normalitet i marrëdhënieve midis Republikës Islamike të Iranit dhe Arabisë Saudite ofron kapacitete të mëdha për të dy vendet, rajonin dhe botën myslimane," tha ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian, i cili së shpejti do të takohet me homologun e tij saudit për të bërë aranzhimet e nevojshme. “Politika e fqinjësisë së mirë, si boshti kyç i politikës së jashtme të administratës iraniane, po ecën fuqishëm në drejtimin e duhur dhe aparati diplomatik qëndron aktivisht pas përgatitjes së më shumë hapave rajonalë,” tha ai. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të  Arabisë Saudite, Musaid Al Aiban, i cili negocioi marrëveshjen me homologun e tij iranian Ali Shamkhani, tha se Riadi “mirëpret iniciativën e Shkëlqesisë së Tij Presidentit Xi Jinping, bazuar në qasjen konsistente dhe të vazhdueshme të Mbretërisë që nga themelimi i saj në respektimin e parimeve të fqinjësisë së mirë.” Ai tha se Arabia Saudite bën "gjithçka që do të rriste sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe në botë", ndërsa "miraton parimin e dialogut dhe diplomacisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet". Kryediplomati kinez Wang Yi vlerësoi marrëveshjen si "një fitore për dialogun, një fitore për paqen, duke ofruar lajme të mira të mëdha në një kohë me shumë turbulenca në botë". Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në trajtimin e çështjeve dhe pikave të nxehta në botë dhe të demonstrojë përgjegjësinë e saj si një komb i madh, tha Wang duke shtuar: “Bota nuk është e kufizuar vetëm në çështjen e Ukrainës”. Sekretari i përgjithshëm i lëvizjes së rezistencës libaneze Hezbollah, Sejed Hasan Nasrallah tha se marrëveshja do të jetë "në të mirë" të rajonit. “Afrimi i Iranit dhe Arabisë Saudite vazhdon në rrugën e tij normale dhe mund të hapë horizonte të reja për rajonin dhe Libanin”, tha ai. Ministri i Jashtëm iranian zhvilloi gjithashtu biseda të veçanta telefonike me homologët e tij nga Omani, Iraku dhe Katari, të cilët përgëzuan rifillimin e lidhjeve. Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu në deklarata të veçanta përshëndetën zhvillimin e ri. Në reagimin e parë, Shtetet e Bashkuara pretenduan se përqafojnë "de-përshkallëzimin" në Azinë Perëndimore. “Në përgjithësi, ne mirëpresim çdo përpjekje për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Jemen dhe uljen e tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme. De-përshkallëzimi dhe diplomacia së bashku me parandalimin janë shtyllat kryesore të politikës që Presidenti Biden përshkroi gjatë vizitës së tij në rajon vitin e kaluar, " tha për Reuters një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë, regjimi izraelit duket se nuk e priti aq mirë zhvillimin. Ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett e quajti marrëveshjen një "fitore politike" për Iranin dhe një "zhvillim serioz dhe të rrezikshëm për Izraelin". "Kjo i jep një goditje fatale përpjekjeve për të ndërtuar një koalicion rajonal kundër Iranit," tha ai. Ish-kryeministri Yair Lapid e përshkroi gjithashtu marrëveshjen e pajtimit si një zhvillim të rrezikshëm që i heq Izraelit murin e tij mbrojtës rajonal. "Marrëveshja midis Arabisë Saudite dhe Iranit pasqyron dështimin e plotë dhe të rrezikshëm të politikës së jashtme të qeverisë izraelite," tha Lapid. Ndaj afrimit irano-saudit ka reaguar edhe Benny Gantz, ish-ministër i Çështjeve Ushtarake, i cili është shprehur se ky zhvillim është burim shqetësimi për Izraelin.