Amir Abdollahian thekson nevojën për të ruajtur integritetin territorial të Ukrainës
Ministri i Jashtëm i Iranit Husein Amir Abdollahian theksoi nevojën për të ruajtur integritetin territorial të Ukrainës në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm zviceran.
Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, Amir Abdollahian dhe ai i Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, diskutuan dhe shkëmbyen mendime për çështje të rëndësishme dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare. Husein Amir Abdollahian, duke iu referuar politikës parimore të Republikës Islamike të Iranit në lidhje me nevojën e ruajtjes së integritetit territorial të vendeve, përfshirë Ukrainën, në këtë bisedë telefonike tha se ne jemi kundër vazhdimit të luftës dhe në bazë të kësaj jemi gati për të ofruar çdo ndihmë për të ndihmuar në përshpejtimin e zgjidhjes së krizës. Duke vlerësuar përpjekjet e qeverisë zvicerane si mbrojtëse e interesave të Republikës Islamike të Iranit në Arabinë Saudite, lidhur me zhvillimet e fundit në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Teheranit dhe Riadit, Amir Abdollahian tha: "Ne jemi të gatshëm të mbajmë një takim me palën saudite bazuar në datën e rënë dakord, me qëllim rihapjen e ambasadave të të dy vendeve." Ai gjithashtu vuri në dukje marrëdhëniet e mira dhe historike midis Republikës Islamike të Iranit dhe Konfederatës Zvicerane dhe shpalli gatishmërinë e Iranit për të mbajtur raundin e tretë të komisionit të përbashkët mes dy vendeve. Ministri i Jashtëm zviceran Cassis gjithashtu uroi qeverinë dhe popullin e Iranit për ardhjen e Nevruzit dhe muajin e shenjtë të Ramazanit. Ai marrëveshjen midis Iranit dhe Arabisë Saudite për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike e konsideroi si një pikë kthese në paqen dhe stabilitetin në rajon. Cassis vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet ndërmjet Republikës Islamike të Iranit dhe Zvicrës dhe shprehu kënaqësinë e tij për mbajtjen me sukses të takimit konsultativ politik ndërmjet dy vendeve. Ai më tej përshëndeti qëndrimin e Republikës Islamike të Iranit për të ndihmuar në arritjen e paqes në Ukrainë.