Delegacioni teknik i Iranit arrin në Arabinë Saudite
Rrjeti informativ Al-Mayadeen njoftoi mbërritjen e delegacionit teknik iranian në Arabinë Saudite.
Ditët e fundit, Republika Islamike e Iranit dhe Arabia Saudite ranë dakord me ndërmjetësimin e Kinës, për të rifilluar marrëdhëniet dypalëshe diplomatike pas shtatë vjetësh. Pas kësaj marrëveshje, ministri i punëve të jashtme të Republikës Islamike të Iranit, Husejn Amir Abdulahjan, të enjten e kaluar në Pekin u takua dhe diskutoi me ministrin e jashtëm të Arabisë Saudite, Fejsal bin Farhan.
Kanali informativ Al-Mayadeen sot (e mërkurë) ka njoftuar për arritjen e delegacionit teknik iranian në Arabinë Saudite me qëllim përgatitjen e rrethanave për rihapjen e ambasadës iraniane në Riad, konsullatën e përgjithshme në Xhide dhe zyrën përfaqësuese iraniane në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.
Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme (e martë, 11 prill), Këshilli i Ministrave të Arabisë Saudite shqyrtoi zhvillimet e fundit në lidhje me zbatimin e marrëveshjes mes Arabisë Saudite dhe Iranit për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike, të ndërprera që nga viti 2016.
Sipas këtij raporti, në këtë takim u diskutua çështja e rifillimit të marrëdhënieve ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit dhe konsultimeve të zhvilluara mes dy vendeve në Pekin, si dhe koordinimi në lidhje me masat e nevojshme për rifillimin e aktiviteteve diplomatike dhe konsullore mes dy vendeve. Në këtë takim gjithashtu u theksua rëndësia e vazhdimit të zbatimit të marrëveshjes mes dy vendeve në një mënyrë që forcon besimin e ndërsjellë dhe zgjeron fushën e bashkëpunimit dhe ndihmon në arritjen e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
Më herët, Alireza Enajati, ndihmësministri i jashtëm dhe drejtor i zyrës për çështje të Gjirit Persik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Iranit, njoftoi nisjen e delegacionit iranian në Arabinë Saudite deri në fund të kësaj jave për të rishikuar procesin e rihapjes së ambasadës iraniane në Riad dhe konsullatës së përgjithshme në Xhide të Arabisë Saudite.
Të shtunën e kaluar, një delegacion nga Arabia Saudite zhvilloi një vizitë në Iran për të përgatitur rrethanat e rihapjes së ambasadës saudite në Teheran dhe konsullatës së saj në Mashhad.