Irani dhe Siria nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi strategjik afatgjatë
Presidentët e Republikës Islamike të Iranit dhe Republikës Arabe të Sirisë kanë nënshkruar një marrëveshje për "bashkëpunimin gjithëpërfshirës strategjik afatgjatë" midis dy vendeve.
Të dy presidentët zhvilluan një takim më herët gjatë ditës në Damask, duke theksuar rëndësinë e planit afatgjatë të bashkëpunimit Iran-Siri për avancimin e interesave të dy kombeve dhe vendeve të tjera në rajon. Presidentët e Iranit dhe të Sirisë nënshkruan 14 dokumente në fusha të ndryshme, duke përfshirë tregtinë, naftën dhe energjinë, inxhinierinë, strehimin, transportin hekurudhor dhe ajror, zonat e tregtisë së lirë, komunikimin dhe teknologjinë, ndihmat në rast të tërmeteve dhe lehtësimin e pelegrinazhit në vendet e shenjta për popujt e dy vendeve myslimane. Mehrdad Bazrpash, kreu i Komisionit të Përbashkët Ekonomik Iran-Siri, i përshkroi dokumentet e nënshkruara si "pothuajse të paprecedenta si për sa i përket numrit, ashtu edhe rëndësisë së çështjeve të adresuara". “Një pjesë e madhe e këtyre dokumenteve synon të lehtësojë tregtinë mes dy vendeve”, tha ai për IRIB pas ceremonisë së nënshkrimit, duke theksuar se marrëveshjet do të përmirësojnë cilësinë dhe vëllimin e tregtisë dypalëshe. Teherani dhe Damasku kanë vendosur gjithashtu të diskutojnë krijimin e një banke të përbashkët dhe kompani sigurimesh të përbashkëta që do të lehtësojnë tregtinë, tha zyrtari iranian, duke shtuar se një bankë siriane dhe një iraniane do të kryejnë transaksione financiare deri sa të krijohet institucioni i përbashkët.