Irani dhe Egjipti shkëmbejnë ambasadorë
Gazeta emiratase "National" raportoi se Irani dhe Egjipti në muajt e ardhshëm pritet të shkëmbejnë ambasadorë për të normalizuar marrëdhëniet midis Teheranit dhe Kajros.
Sipas Sputnik, zyrtarët egjiptianë i thanë gazetës emiratase "National" se Irani dhe Egjipti në muajt e ardhshëm do të shkëmbejnë ambasadorë si pjesë e procesit të ndërmjetësimit të Omanit për normalizimin e marrëdhënieve midis Teheranit dhe Kajros. Dy zyrtarë egjiptianë gjithashtu njoftuan marrëveshjen për të mbajtur një takim midis presidentëve të Iranit dhe Egjiptit, Sejed Ibrahim Raisi dhe Abdel Fattah al-Sisi. Sipas tyre, takimi mes krerëve të Iranit dhe Egjiptit do të ndodhë ndoshta deri në fund të këtij viti. Ky lajm është publikuar pasi sulltan Haitham bin Tarik, sulltan i Omanit, gjatë udhëtimit të tij në Kajro disa ditë më parë ka diskutuar për marrëdhëniet Iran-Egjipt. Ndërkohë, ish-kreu i Mossad-it paralajmëroi në konferencën e sigurisë, për afrimin e Iranit dhe vendeve të rajonit, veçanërisht Arabisë Saudite dhe Egjiptit. Sipas raportit të Rusisë Today, Tamir Pardo, ish-kreu i agjencisë sioniste të spiunazhit Mossad, në një fjalim në konferencën e sigurisë Herzliya deklaroi: Afrimi midis Iranit dhe vendeve të rajonit, veçanërisht Arabisë Saudite dhe Egjiptit, do të ndryshojë pozitën e “Izraelit” si një nga fuqitë e Lindjes së Mesme. Pardo shtoi: "Kohët e fundit, ne pamë që Arabia Saudite u afrua me Iranin dhe bisedimet janë duke vazhduar me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ne jemi dëshmitarë të marrëdhënieve të disa vendeve me Sirinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë dhe tani me Egjiptin". Më herët, Yair Lapid, ish-kryeministri i regjimit sionist, kishte paralajmëruar kabinetin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për çdo afrim midis Iranit dhe Egjiptit dhe në një postim në Twitter kishte shkruar: Afrimi midis Egjiptit dhe Iranit është në konflikt me interesat tona në rajon.