Amir Abdulahjan: Irani është një nga vendet lider në fushën e multilateralizmit
Ministri i punëve të jashtëm të Iranit deklaroi se “miqtë e BRICS” janë miq të bashkëpunimit dhe partneritetit para çdo çështjeje, duke theksuar se Republika Islamike e Iranit është një nga vendet lider në fushën e multilateralizmit.
Ministri i Jashtëm i Iranit ka udhëtuar në Afrikën e Jugut për të marrë pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të jashtëm të vendeve të BRICS dhe miqve të BRICS në Cape Town. BRICS përfshin ekonomitë globale në zhvillim e sipër të Kinës, Rusisë, Indisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut, dhe ideja e formimit të tij daton në vitin 2000.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se ministri i punëve të jashtme të Iranit, Husejn Amir Abdulahjan, në këtë takim i vlerësoi në nivel shumë të mirë marrëdhëniet dypalëshe politike dhe ekonomike të Teheranit me vendet anëtare të BRICS dhe shtoi se tregtia ndërmjet Iranit dhe vendeve anëtare të BRICS ka arritur në mbi 30 miliardë dollarë.
Amir Abdulahjan tha se Irani së shpejti do t'i zhvillojë marrëdhëniet e tij me tre vendet anëtare të BRICS, përkatësisht Rusinë, Kinën dhe Indinë në formën e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ndërsa theksoi: "Grupi BRICS për shkak të kapaciteteve të tij dhe për shkak të përpjekjeve për mënjanimin e mungesave dhe mangësive në rendin ndërkombëtar dhe forcimit të multilateralizmit, ka fituar një pozitë të rëndësishme në fushën e shkëmbimeve globale".
Amir Abdulahjan theksoi se ky pozicion do të forcohet patjetër me bashkimin e fuqive të tjera rajonale dhe të rreshtuara dhe një BRICS i gjerë mund të ofrojë modele të suksesshme të "qeverisjes kolektive dhe gjithëpërfshirëse", "bashkëpunimit të ri Jug-Jug" dhe "koalicionit të ekonomive në zhvillim e sipër".
Ministri i punëve të jashtme të Iranit deklaroi se Republika Islamike e Iranit, së bashku me vendet e tjera të lidhura dhe të interesuara, mund të jetë një partner i besueshëm për BRICS në të ardhmen me rezerva të plota të energjisë; rrjete transporti dhe tranziti të shkurtër dhe të lirë; fuqi njerëzore të trajnuar dhe arritje mbresëlënëse shkencore, dhe mbi të gjitha me një vullnet të fortë për të marrë pjesë në krijimin e një rendi të drejtë në botë.
Amir Abdulahjan njoftoi gjithashtu se në të ardhmen e afërt do të mbahet një konferencë në bashkëpunim me ambasadat e vendeve të BRICS në Teheran.