Teherani: Perëndimi nuk ka të drejtë të derdhë lot krokodili për iranianët
Irani ka dënuar ashpër SHBA-në dhe aleatët e saj për vendosjen e një sërë sanksionesh të reja kundër Republikës Islamike lidhur me mbrojtjen e sigurisë së vendit dhe kombit përballë trazirave të mbështetura nga Perëndimi që u përhapën në të gjithë vendin vitin e kaluar.
Të premten, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian sanksionuan dhjetëra individë dhe entitete iraniane, të cilët i akuzuan për shtypje ose keqinterpretim të trazirave të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Naser Kanani i denoncoi sanksionet si "sjellje jokonstruktive", e cila nuk ishte në përputhje me interesat e vetë vendeve perëndimore. "Perëndimi, shtoi ai, më tepër duhej të adoptonte "një politikë të re që të ishte e bazuar në respektin për kombin e madh dhe të qytetëruar iranian, sovranitetin e Republikës Islamike dhe sigurinë dhe interesat e përbashkëta të të dy palëve." Duke iu referuar sanksioneve perëndimore dhe akuzave që fajësojnë reagimin e Iranit ndaj trazirave, Kanani pohoi se, kur bëhet fjalë për sigurinë publike të vendit, populli dhe autoritetet iraniane "nuk do të ndikohen nga propaganda dhe veprimet keqdashëse të palëve perëndimore." Ai, ndërkohë, u kujtoi shteteve perëndimore të dhënat e tyre të mjerueshme për të drejtat e njeriut, duke i identifikuar ato si "vende, të cilat vazhdimisht kryejnë rastet më të rënda të dhunës kundër qytetarëve të tyre, veçanërisht grave, si dhe minoriteteve, njerëzve me ngjyrë dhe emigrantëve." Këto vende gjithashtu nuk marrin kurrë guximin për të protestuar dhe dënuar me të vërtetë "krimet e përditshme të regjimit fëmijëvrasës sionist ", vuri në dukje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit. Prandaj, shtete të tilla "nuk kanë të drejtë të derdhin lot krokodili për kombin iranian", shtoi ai. Kanani i përfundoi komentet e tij duke theksuar se sigurimi i mbështetjes dhe strehës së sigurt nga shtetet perëndimore për grupet terroriste anti-iraniane, si Organizata Muxhahedin-e-Khalk (MEK), e cila është fajtore për vrasjen e mijëra iranianëve, "përgënjeshtron pretendimin e tyre për të mbështetur të drejtat e popullit iranian”.