Tetor 03, 2023 21:13 Europe/Tirane
  • Lideri Suprem: Normalizimi me Izraelin

Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei ka kritikuar vendet që kërkojnë të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin, duke deklaruar se "regjimi sionist është i kalbur".

“Pozicioni i prerë i Republikës Islamike është se qeveritë që përdorin lojën e normalizimit me regjimin sionist si model për veten e tyre, do të humbasin dhe ata humbja i pret”, tha të martën Ajetollah Khamenei. "Ata po bëjnë një gabim dhe, siç thonë evropianët, ata po vënë bast mbi një kalë humbës," tha ai në një takim me përfaqësues të popullit, zyrtarë qeveritarë, ambasadorë të vendeve islamike dhe mysafirë të konferencës ndërkombëtare të unitetit islamik në Teheran. Ajetollah Khamenei tha se situata në Izrael nuk është nga ato që inkurajojnë afrimin dhe vendet "nuk duhet ta bëjnë këtë gabim". “Sot, lëvizja palestineze është më dinamike se kurrë në 70-80 vitet e fundit, dhe rinia palestineze dhe lëvizja kundër uzurpimit, shtypjes dhe sionizmit janë më të fuqishme, më të gjalla dhe më të gatshme se kurrë.  “Dhe në dashtë Zoti, kjo lëvizje do të realizohet dhe siç e përshkroi Imam Khomeini regjimin uzurpues si kancer, ky kancer do të zhduket nga duart e popullit palestinez dhe nga forcat e rezistencës në gjithë rajonin”. Ajetollah Khamenei tha se Izraeli ka urrejtje ndaj vendeve myslimane. “Regjimi sionist është plot urrejtje dhe zemërim, jo vetëm ndaj nesh, por edhe ndaj vendeve të tjera. Nuk është se regjimi sionist është i kënaqur me vendet larg tij. Sionistët urrejnë gjithashtu Egjiptin, Irakun dhe Sirinë. Pse? Sepse qëllimi i tyre ishte që Izraeli të shtrihet nga Nili deri në Eufrat dhe kjo nuk ndodhi. Këto vende nuk e lejuan për arsye të ndryshme”, tha Lideri Suprem i Revolucionit Islamik. “Epo, sigurisht, Kurani thotë: ‘Zemërohuni dhe vdisni nga zemërimi’. Kështu do të jetë. Ata po vdesin tani dhe me vullnetin e Zotit shprehja ‘Zemërohuni dhe vdisni nga zemërimi’ po realizohet në rastin e regjimit sionist”, shtoi ai. Ajetollah Khamenei tha se armiqësia ndaj Islamit është më e dukshme se kurrë tani, duke përmendur si shembull përdhosjen e Kuranit të Shenjtë në Perëndim. “Një idiot injorant fyen Kuranin dhe një qeveri e mbështet, gjë që tregon se çështja nuk është thjesht një akt i inskenuar dhe fyes,” tha ai. “Nuk kemi asnjë lidhje me atë injorant dhe të paditur që dënon veten me dënimet më të rënda për të përmbushur objektivat e elementëve që ndodhen prapa skenës. Çështja ka të bëjë me projektuesit e këtyre krimeve dhe akteve të urrejtjes. Ajetollah Khamenei tha se ideja e dobësimit të Kuranit me akte të tilla është delirante, e cila vetëm ekspozon brendësinë e armiqve të Librit të Shenjtë. “Kurani është një libër i urtësisë, diturisë, humanizmit dhe zgjimit, dhe armiqësia me Kuranin është në të vërtetë armiqësi me këto koncepte të larta. Sigurisht, Kurani është një kërcënim për fuqitë e korruptuara, sepse ai dënon shtypjen dhe fajëson njerëzit e shtypur që i nënshtrohen shtypjes.” Gjithashtu, Ajetollah Khamenei tha se justifikimi i përdhosjes së Kuranit nën pretekstin "e zakonshëm, të rremë dhe të gabuar" të lirisë së fjalës vetëm turpëron justifikuesit. “Në vendet që lejojnë fyerjen e Kuranit me pretekstin e lirisë së fjalës, a lejojnë edhe sulmin ndaj simboleve sioniste? Çfarë gjuhe mund të përdoret për të vërtetuar më qartë se vendet në fjalë janë nën dominimin e sionistëve mizorë, kriminelë dhe grabitës të botës?” Ajetollah Khamenei përmendi rastin e Javës së Unitetit Islamik, duke u bërë thirrje liderëve dhe politikanëve të vendeve islame dhe ekspertëve dhe elitave të botës islame që të mendojnë rreth pyetjes: Kush është armiku i unitetit të vendeve islame dhe kë dëmton dhe pengon bashkimi i myslimanëve? Ai u bëri thirrje vendeve islamike në Azinë Perëndimore dhe Afrikën Veriore që të bashkohen për të parandaluar vjedhjen, shantazhin dhe ndërhyrjen amerikane. Lideri Suprem shtoi: “Amerika godet vendet e rajonit politikisht dhe ekonomikisht, vjedh naftën e Sirisë, mbron dhe mban ISIS-in mizor, barbar dhe gjakatar në bazat e saj, në mënyrë që të mund ta kthejë grupin në fushë sa herë që të jetë e nevojshme dhe të ndërhyjë në punët e vendeve. Megjithatë, nëse të gjithë janë të bashkuar dhe nëse Irani, Iraku, Siria, Libani, Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe vendet e Gjirit Persik miratojnë një politikë të vetme në çështjet themelore dhe të përgjithshme, fuqitë dominuese nuk mund dhe nuk guxojnë të ndërhyjnë në punët e tyre”.

 

Tags