Irani: Stuhia Al-Aksa është një operacion plotësisht palestinez
Ambasadori i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara ka mohuar kategorikisht akuzat e pabaza të Izraelit në lidhje me përfshirjen e Republikës Islamike të Iranit në operacionin e Rezistencës Palestineze kundër Izraelit.
Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Said Iravani, hodhi poshtë akuzat e bëra nga ambasadori i regjimit izraelit kundër Iranit, duke theksuar se operacioni i Hamasit , i quajtur Stuhia Al-Aksa, ishte një vendim plotësisht palestinez.
Wall Street Journal raportoi se inteligjenca iraniane luajti një rol të madh në planifikimin e operacionit ushtarak të Hamasit kundër regjimit izraelit. “Republika Islamike e Iranit mohon kategorikisht dhe zyrtarisht çdo pretendim të pabazë në lidhje me përfshirjen e saj në operacionin ushtarak të Rezistencës Palestineze kundër regjimit të Izraelit”, specifikohet në letrën e Amir Said Iravani.
“Ky vendim u takon vetëm grupeve të Rezistencës Palestineze dhe palestinezët rezervojnë të drejtën themelore për vetëvendosje,” konfirmoi ai.
“Është për të ardhur keq që përgjigja e komunitetit ndërkombëtar ndaj këtyre shkeljeve të rënda nuk ka rezultuar në dënimin e zyrtarëve izraelitë. Mungesa e llogaridhënies dhe heshtja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i kthen rezolutat e OKB-së në shkronja të vdekura,” shtoi z. Iravani.
“Sot, bota po përjeton një rritje të re të mizorive dhe dënimit kolektiv kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës. Këto janë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të orkestruara nga regjimi izraelit. Paaftësia e komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë shpejt mund të çojë në një katastrofë humanitare,” theksoi ai.